Serbët largohen nga institucionet e Kosovës

Serbët largohen nga institucionet e Kosovës

Gazetar: Shkëlzen Aqifi

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë ka vendosur që të largohet nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe nga komunat në veri të vendit. Kryetari i Listës Serbe Goran Rakiq tha se vendimet për largim nga institucionet do të zbatohen deri në momentin kur “Prishtina fillon të respektojë të drejtën publike ndërkombëtare dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel”. Rakiq tha se ka dhënë dorëheqje nga “pozita e ministrit në Qeverinë e Kosovës”.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri. Kjo do të thotë, konkretisht, derisa të tërheqin vendimet e njëanshme dhe të kundërligjshme për riregjistrim, derisa të formojnë Asociacionin e komunave serbe, në përputhje me marrëveshjen e parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura me këtë çështje në dialog”, tha Goran Rakiq, Kryetar i Listës serbe.

Pas vendimit të marrë në një takim me dyer të mbyllura në Zveçan, dorëheqje kanë dhënë edhe pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, ata të gjyqësorit dhe prokurorisë në veri.

Edhe deputeti në Kuvendin e Kosovës, Igor Simiq, ka thënë se dorëzon dorëheqjen në emër të 10 deputetëve në këtë institucion. Në emër të punonjësve në sistemin gjyqësor, dorëheqje ka dhënë Nikolla Kabashiq, kryetar i Gjykatës Themelore për rajonin e Mitrovicës.

Qeveria e Kosovës nuk ka reaguar lidhur me vendimin e përfaqësuesve serbë.

Shefi i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se përmes detyrimit të serbëve të Kosovës për t’u larguar nga institucionet e Kosovës, “Serbia është duke shkelur në mënyrë të njëanshme të gjitha marrëveshjet e Brukselit për shpërbërjen e strukturave të saj ilegale në Kosovë. Një frikësim i tillë nuk do të funksionojë. Institucionet e Kosovës do të mbesin multietnike dhe përfaqësuese të të gjitha komuniteteve”, ka thënë ai përmes një postimi në Twitter.

Nga ana tjetër pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Qeverisë së Serbisë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka shfrytëzuar llogarinë e tij në Instagram për të thënë se nuk heq dorë nga politika e përgjegjshme e paqes dhe stabilitetit. Për zhvillimet e fundit në Kosovë, Vuçiq ka zhvilluar një bisedë telefonike me ambasadorin amerikan në Serbi Kristofer Hill. Mediat në Serbi thonë se ambasadori Hill ka kërkuar nga Vuçiq që Serbia të sillet me përgjegjësi, me seriozitet dhe në asnjë mënyrë të mos cenojë paqen dhe stabilitetin rajonal./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button