Sërish pyetet Fillkov se pse nuk lejohet provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe –Përgjigja e zakonshme e tij: Nuk është e mundur!

Sërish pyetet Fillkov se pse nuk lejohet provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe –Përgjigja e zakonshme e tij: Nuk është e mundur!

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Në seancën e pyetjeve të deputetëve, deputetja e Frontit Evropian Dijana Toska pyeti ministrin e drejtësisë Igor Fillkov pse nuk lejon që studentët shqiptarë të mund të japin provimin e jurisprudencës në gjuhën amtare. Sipas Toskës, ministri shkel të drejtat elementare të garantuara sipas Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutës.

“Ku bazoheni ju për këtë vendim? Në cilat ligje dhe cilat nene? A është kjo tendencë apo projekt për të përjashtuar gjuhën shqipe dalë nga dalë nga të gjitha institucionet shtetërore. Si mundet që pikërisht ju si ministër i drejtësisë të merrni vendime të tilla duke mos u bazuar në asnjë argument të qëndrueshëm dhe duke mos respektuar Kushtetutën e shtetit”, deklaroi Dijana Toska – Fronti Evropian.

Por Fillkov sërish u shpreh kategorik se provim të jurisprudencës në shqip, nuk mund të ketë.

“Për momentin mundësi për dhënien e provimit në gjuhë tjetër përpos maqedonishtes nuk ekziston! Sepse provimi i jurisprudencës është provim profesional dhe nuk është procedurë administrative dhe kjo për ju është shumë e njohur. Ju duhet të tregoni se çfarë bënë 8 ministrat tuaj në 20 vitet e kaluara ose përsëri do të presim që përgjigja të vijë nga një anë tjetër në procedurë. Për këtë keni nervozë dhe histeri”, u shpreh Igor Fillkov – Ministër i Drejtësisë.

Ditë më parë BDI dorëzoi kallëzim penal ndaj ministrit të Drejtësisë Igor Fillkov për shkelje të detyrimeve kushtetuese dhe ligjore pasi refuzon të lejojë dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Fillkov u përgjigj se padia nuk e frikëson aspak. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button