Sezoni më i rëndë i gripit në 15 vjet – pse ndodh dhe si të mbroheni?
Sezoni më i rëndë i gripit në 15 vjet – pse ndodh dhe si të mbroheni?

Numri i rasteve të gripit sezonal po rritet me shpejtësi në të gjithë Shtetet e Bashkuara, duke shkaktuar krizë në spitale dhe një numër të lartë vdekjesh.
National Geographic ka shkruar se ekspertët kanë shpjeguar se çfarë e bën këtë sezon kaq të pazakontë dhe çfarë mund të bëni për të mbrojtur veten dhe familjen.
Pse ky sezon i gripit është më i rëndi në 15 vjet?
Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), sezoni aktual i gripit ka shkaktuar rreth 19,000 vdekje deri më tani, duke tejkaluar për herë të parë vdekjet nga COVID-19 gjatë dimrit.
Një nga faktorët kryesorë që ndikon në këtë situatë thuhet se është dimri i ftohtë. Sipas William Schaffner, specialist i sëmundjeve infektive në Universitetin Vanderbilt, temperaturat e ulëta kanë detyruar njerëzit të kalojnë më shumë kohë në ambiente të mbyllura, duke rritur përhapjen e virusit.
Një tjetër arsye thuhet se është mungesa e imunitetit kolektiv. Gjatë pandemisë COVID-19, masa si mbajtja e distancës dhe përdorimi i maskave kufizuan përhapjen e gripit, duke bërë që shumë njerëz të mos ekspozohen ndaj virusit për disa vjet. Kjo ka krijuar një “hendek imuniteti”, duke bërë që këtë vit, gripi të përhapet më shpejt.
Gjithashtu, ky sezon ka qenë shumë i paparashikueshëm, me dy variante të ndryshme të gripit – H1N1 dhe H3N2, që po qarkullojnë njëkohësisht, gjë që është e pazakontë.
Një raport paraprak sugjeron se vaksina e këtij viti mund të mos jetë aq efektive sa në vitet e kaluara për shkak të këtyre ndryshimeve të papritura të virusit.
Megjithatë, sipas Jason Newland, shef për sëmundje infektive në Nationwide Children’s Hospital në Ohio, edhe në vitet kur vaksina nuk është një përputhje e përkryer me virusin, ajo sërish ndihmon në parandalimin e rasteve të rënda.
Një faktor tjetër kyç është ulja e numrit të njerëzve të vaksinuar.
Sipas CDC-së, deri më 1 shkurt janë administruar 146.5 milionë doza të vaksinës kundër gripit, krahasuar me 156.9 milionë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, një rënie prej 7%. Sipas doktoreshës Elizabeth Mack nga Universiteti i Mjekësisë në Karolinën e Jugut, kjo është një arsye kryesore pse kaq shumë njerëz po preken rëndë nga gripi këtë vit.
Si të mbroheni nga gripi?
Pavarësisht rritjes së rasteve, ekspertët kanë theksuar se ka mënyra të sigurta për të zvogëluar rrezikun e infektimit dhe të komplikacioneve.
Ruani higjienën personale – Lani shpesh duart me ujë dhe sapun, sidomos pasi të keni prekur sipërfaqe publike.
Mbani maskë në ambiente të mbushura me njerëz, veçanërisht nëse jeni në një grup të rrezikuar si të moshuarit, gratë shtatzëna ose njerëzit me sëmundje kronike.
Shmangni hapësirat e mbipopulluara dhe të paajrosura për të reduktuar ekspozimin ndaj viruseve.
Forconi sistemin imunitar duke ngrënë ushqime të shëndetshme, duke bërë aktivitet fizik dhe duke pushuar mjaftueshëm.
Vaksinohuni kundër gripit.
Ani se vaksina nuk e parandalon 100% infeksionin, ajo redukton rrezikun e sëmundjes së rëndë, shtrimit në spital dhe vdekjes.
“Vaksina kundër gripit e shndërron një sëmundje të rëndë në një të lehtë”, ka thënë Schaffner.
Nëse gripi vazhdon të përhapet me të njëjtin ritëm, ekspertët paralajmërojnë se kulmi tjetër mund të ndodhë në mars, duke shkaktuar më shumë komplikime. Megjithatë, me masa të thjeshta parandaluese, mund të mbroheni vetë dhe të ndihmoni në ngadalësimin e përhapjes së virusit.