Shaqiri, koleksioner i flamujve nga kryeministrat, Mickoskit nuk ia bëri fjalën dy
Shaqiri, koleksioner i flamujve nga kryeministrat, Mickoskit nuk ia bëri fjalën dy
Gazetar: Suad Bajrami
Menjëherë pas reagimit të kryeministrit Hristijan Mickoski, deputeti Rijad Shaqiri vendosi një flamur maqedonas në xhaketën e tij, ku kishte të varur vetëm flamurin shqiptar. Megjithatë, Shaqiri nuk e shfrytëzoi këtë moment për të hapur temën për deetnizimin e simboleve shtetërore në Maqedoninë e Veriut, një kërkesë e kamotshme e partive shqiptarëve që viteve të fundit është lënë në harresë.
“Dhe… faleminderit… kërkoj të ndalohet koha pak. Faleminderit”.
Tema për simbolet shtetërore të Maqedonisë se Veriut që nuk përmbajnë asnjë shenjë që përfaqëson shqiptarët, nuk është në agjendën qeveritare, ndonëse vitin e kaluar VLEN propozonte ndryshimin e stemës por edhe himnit duke dhënë ide qe i njëjti të jetë pa tekst.
“Tema për momentin nuk është lëndë e shqyrtimit nga ana e Qeverisë. Fokusi i Qeverisë mbetet drejt krijimit dhe zbatimit të politikave që sigurojnë zhvillim të shtetit dhe standard më të mirë për qytetarët, dhe në atë drejtim do të vazhdojnë edhe aktivitetet e mëtutjeshme”, njoftojnë nga Qeveria e Maqedonisë.
Nga BDI-ja opozitare nuk konkretizojnë nëse kanë në agjendë çështjen e ndryshimeve të simboleve, por bëjnë thirrje për mobilizim të përgjithshëm shoqëror.
“Në këtë moment, vendi po përballet me një sulm të paprecedent ndaj Marrëveshjes së Ohrit: gjuha është nën presion, mekanizmi i balancuesit është anuluar, “bota serbe” ka kapur shtetin dhe institucionet, procesi evropian ka ngecur; kjo është një kohë krize që kërkon adresimin e menjëhershëm të këtyre kërcënimeve dhe mbrojtjen e barazisë kushtetuese”, thonë nga BDI.
Në të kaluarën, BDI-ja për dy dekada në pushtet nuk ka arritur ta rregullojë çështjen e simboleve, ndonëse kjo temë është hapur disa herë. Në vitin 2014, VMRO-ja e Gruevskit mori iniciativë për ndryshimin e stemës shtetërore, duke propozuar që në të, të figurojë një luan i verdh i ngritur në dy këmbë, i ngjashëm me logon e partisë. BDI mbështeti këtë nismë dhe beri fushatë të hapur për t’i bindur shqiptarët se luani i VMRO-së është simbol i shqiptarëve. /Alsat.mk








