Eliminimi dramatik i FC Basel në çerekfinalen e Kupës kundër Sent Gallenit ka lënë gjurmë të mëdha te kampionët në fuqi. Gol i Karlo Boukhalfas në minutën e 93-të i dha fund rrugëtimit të Baselit në Kupë, duke reflektuar një sezon të vështirë për skuadrën, larg nivelit të sezonit të kaluar.
Pas përfundimit të ndeshjes, atmosfera ishte e rënduar. Teksa lojtarët po falënderonin tifozët që kishin udhëtuar për t’i mbështetur, një prej tyre i shprehu hapur pakënaqësinë kapitenit Xherdan Shaqiri. Kapiteni i Baselit reagoi duke u përfshirë fillimisht në një diskutim në fushë, por më pas situata u qetësua dhe Shaqiri u pa duke buzëqeshur për incidentin.
“Kjo është pjesë e futbollit. As nuk më kujtohet çfarë tha ai. Askush nuk është i lumtur kur humbasim, kjo është e kuptueshme. Por nuk ndihmon të krijosh tension. Duhet të qëndrojmë të bashkuar”, shtoi ai.
Pavarësisht zhgënjimit, Shaqiri pati edhe fjalë respekti për kundërshtarin.
“Edhe ky është futbolli. St. Gallen e meritoi fitoren, ata ishin më të mirë”, deklaroi kapiteni.
Pas eliminimit nga Liga e Evropës dhe tashmë edhe nga Kupa, FC Basel ndodhet në një fazë të vështirë të sezonit.
“Tani duhet të punojmë shumë për t’u rikthyer në rrugën e fitores”, përfundoi Shaqiri.








