Shaqiri: Qendrat rajonale të arsimit dhe aftësimit profesional shndërrohen në qendra të ekskluzivitetit për edukimin e stafit

Tri qendrat rajonale për arsim dhe aftësim profesional janë shndërruar në institucione arsimore lider për aftësimin profesional të studentëve dhe qytetarëve dhe mbeten një ndër prioritetet kryesore të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri në takimin e sotëm të Grupit Sektorial të Punës për Arsimin, Punësimin dhe Çështjet Sociale-politike.

Ai tha se aktualisht është në proces rikonstruksioni i dy qendrave rajonale, në Kumanovë dhe Ohër, si dhe është në proces tenderi për rindërtimin e qendrës në Tetovë.

“Qëllimi ynë është që në kuadër të reformave të arsimit të mesëm profesional t’i zhvillojmë ato në qendra ekskluziviteti, inovacioni dhe rëndësie, ku do të arsimohen kuadro që do t’i plotësojnë kërkesat e tregut të punës”, tha Shaqiri.

Ai ka sqaruar se pajisja e qendrave është një nga kushtet për funksionalitetin e tyre dhe arsim cilësor, për të cilin Ministria e Arsimit dhe Shkencës do ta informojë Qeverinë, në mënyrë që mjetet të përfshihen në planifikimin buxhetor për vitin 2023.

“Sa i përket kuadrit mësimor në qendrat rajonale për arsim dhe aftësim profesional, me mbështetjen e Ambasadës Zvicerane dhe projektit E4E @ mk dhe UNDP-së, zhvillohen trajnime dhe përmirësimi i mëtutjeshëm i aftësive të tyre, sepse mësuesit janë hallka më e rëndësishme në procesi arsimor”, theksoi ministri.

Grupi sektorial i punës për arsimin, Punësimin dhe Mbrojtjen Sociale është një mekanizëm për konsultim dhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve ekzekutive, organizatave të shoqërisë civile, komunitetit të donatorëve dhe aktorëve të tjerë, përmes të cilit krijohen dhe zbatohen politikat e konkurrencës dhe rritjes gjithëpërfshirëse në të tre sektorët të cilat financohen përmes programeve IPA.

LEXO EDHE:

Back to top button