SHBA, 89 milionë dollarë ndihma për pastrimin e minave në Ukrainë
SHBA, 89 milionë dollarë ndihma për pastrimin e minave në Ukrainë
Shtetet e Bashkuara njoftuan të martën se do të japin 89 milionë dollarë për të ndihmuar në pastrimin e minave tokësore, pajisjeve shpërthyese të improvizuara dhe mjeteve të pashpërthyera të vendosura nga forcat ruse në Ukrainë.
“Kjo është një sfidë me të cilën Ukraina do të përballet për dekada”, u tha një zyrtar i Departamentit të Shtetit
gazetarëve të martën, duke folur në kushte anonimiteti.
Zyrtari më tej e krahasoi përdorimin e minave dhe eksplozivëve nga Rusia me taktikën e tokës së djegur të përdorur nga grupet terroriste, si Shteti Islamik (ISIS).
“Ky përdorim i tmerrshëm i mjeteve shpërthyese të improvizuara nga forcat ruse të kujton taktikat e ISIS-it në Irak dhe Siri, ku terroristët e ISIS-it u përpoqën të shkaktonin sa më shumë viktima civile dhe t’i bënin njerëzit të frikësoheshin nga kthimi në shtëpitë e tyre”, tha zyrtari.
“Ndërsa forcat ruse u tërhoqën nga veriu i Ukrainës, ata kishin lënë kurthe dhe pajisje shpërthyese të improvizuara në objektet ushqimore, bagazhet e makinave, lavatriçet, dyert, shtretërit e spitaleve dhe madje edhe në trupat e të vrarëve”, tha zyrtari. “Ministria ukrainase e Punëve të Jashtme ka thënë se forcat ruse kanë fshehur qëllimisht eksplozivë në lodra dhe objekte me shkëlqim që tërheqin vëmendjen e fëmijëve”, shtoi zyrtari amerikan.
89 milionë dollarët do të merren nga buxheti i Departamentit të Shtetit për Vitin Fiskal 2022, si dhe nga një seri projektligjesh financimi shtesë të miratuara nga Kongresi në fillim të këtij viti.
Një raport i organizatës Human Rights Watch qershorin e kaluar, i cituar nga Departamenti i Shtetit, akuzoi Rusinë për përdorimin e shtatë llojeve të minave tokësore në Ukrainë.
Minat kundër personelit, të cilat aktivizohen nga afërsia ose kontakti me një person, janë të ndaluara bazuar në Konventën e Otavës të vitit 1997.
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia nuk janë nënshkruese të traktatit. Por presidenti amerikan Joe Biden njoftoi muajin e kaluar se Shtetet e Bashkuara do të kufizojnë përdorimin e minave tokësore, duke i përdorur ato vetëm për të ndihmuar në mbrojtjen e Koresë së Jugut nga Koreja e Veriut.
Pjesë e ndihmave të mëparshme amerikane të sigurisë për Ukrainën kanë qenë edhe municionet kundër personelit, “Claymore”. Zyrtarët amerikanë kanë thënë, megjithatë, se “Claymore” është konfiguruar në përputhje me rregulloret e përcaktuara nga Konventa e Otavës.
Për momentin, zyrtarët amerikanë shpresojnë që ndihma e re mund të përforcojë përpjekjet ekzistuese të Ukrainës për çminim.
Departamenti i Shtetit tha se ekipet ukrainase kanë pastruar tashmë rreth 160,000 mina dhe pajisje të tjera të pashpërthyera.
Ndërsa ekipet e reja stërviten, pajisen dhe dislokohen, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina shpresojnë të kuptojnë më mirë strategjinë luftarake të Rusisë./ Zëri i Amerikës