SHBA-ja e shpëton aviatorin e zhdukur në Iran pas rrëzimit të avionit amerikan
Forcat amerikane e kanë shpëtuar edhe anëtarin e dytë të ekuipazhit të një avioni luftarak F-15, i cili u rrëzua ditë më parë në Iran, duke e përfunduar një mision shpëtim-kërkimi luftarak me rrezik të lartë thellë brenda tokës së armikut.
Disa media, përfshirë New York Times, raportuan se ushtari, i cili u gjet në jugperëndim të Iranit në orët e para të së dielës, u dërgua në spital në Kuvajt për shërim.
Nuk dihet tani për tani nëse ka pasur viktima gjatë misionit, megjithëse thuhet se dy avionë transporti që duhej të ishin pjesë e operacionit nuk arritën të largoheshin nga një bazë e largët në Iran. Avionët u shkatërruan për të mos rënë në duart e ushtrisë iraniane.
“E shpëtuam”, shkroi presidenti amerikan, Donald Trump, në Truth Social pak pasi u bë i ditur lajmi për shpëtimin e aviatorit.
“Ai ka pësuar lëndime, por do të jetë mirë”, shtoi Trump.
Avioni luftarak i tipit F-15E Strike Eagle u rrëzua nga mbrojtja ajrore iraniane më 3 prill, duke u bërë avioni i parë amerikan i rrëzuar mbi Iran gjatë luftës që ka hyrë në javën e pestë.
Anëtari i parë i ekuipazhit u shpëtua brenda pak orësh pasi u hodh me parashutë nga avioni i dëmtuar.
“Misioni ka përfunduar”, tha një zyrtar amerikan për Radion Evropa e Lirë (REL) pas operacionit./REL







