Gazetar: Zekirija Haxhiu
Vite më parë kjo sallë ishte zemra e rinisë së Çairit. Të rinjtë mbanin aktivitete të shumta sportive sikurse futboll, basketboll por luanin edhe ping pong. Të rinjtë e kërkojnë përsëri këtë sallë mirëpo punimet për rinovim të kësaj salle po ecin me hapat e breshkës.
Salla është shndërruar në çerdhe e shpezëve ndërsa të rinjtë e shfrytëzojnë për drift me motoçikleta por edhe për grafite. Këto pamje tregojnë se në këtë sallë, nuk është prekur asgjë me muaj të tërë. Nga komuna e Çairit na njoftuan se pas pastrimit të mbeturinave, puna e parë që kanë bërë ka qenë vendosja e një kulmi me panele moderne e cila është rezistente ndaj ujit. Por gjendja në teren, e tregon të kundërtën.
“Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një objekt më të vjetër, aktivitetet po zhvillohen me kujdes të shtuar dhe me kontrolle teknike shtesë mbi konstruksionin ekzistues, gjë që në faza të caktuara ndikon në një dinamikë më të ngadalshme të punimeve. Qëllimi kryesor është sigurimi i një rekonstruksioni cilësor, të sigurt dhe afatgjatë, në përputhje me projektin e miratuar”, thanë nga Komuna e Çairit.
– Aktivitetet me kujdes të shtuar dhe kontrolle teknike shtesë
– Qëllimi kryesor është sigurimi i një rekonstruksioni cilësor
Paralajmërimi për rikonstruimin e sallës u bë në vitin 2024 nga ish-kreu i Çairit Visar Ganiu, kreu aktual i Shkupit Orce Gjorgjievski dhe ministri i sportit Borko Ristov.. Rikonstruimi i plotë është paralajmëruar se do të kushtojë 1.5 milion euro./Alsat.mk.








