SHBA merr masa ndaj 59 kompanive kineze të mbrojtjes dhe teknologjisë

Zyrtarë të lartë të administratës së presidentit amerikan, Joe Biden njoftuan se të enjten do të lëshohet një urdhër i ri ekzekutiv që u ndalon njësive amerikane blerjen ose shitjen e letrave me vlerë nga 59 kompani kineze të sektorit të mbrojtjes dhe teknologjisë së mbikëqyrjes.

Departamenti i Thesarit do të zbatojë dhe freskojë vazhdimisht listën e masës së re, e cila zëvendëson atë të Departamentit të Mbrojtjes, ndërsa zyrtarët njoftuan se vendimi hyn në fuqi më 2 gusht.

Urdhri i ri, që duket si përpjekje për ta bërë të tingëllojë si e ligjshme një ndalesë të administratës së ish-presidentit amerikan, Donald Trump, vë në theks qëllimin e administratës Biden për të garantuar se “persona në SHBA nuk po financojnë kompleksin industrial ushtarak të Republikës Popullore të Kinës”, tha një nga zyrtarët e lartë para gazetarëve.

Përfshirja e firmave kineze të teknologjisë mbikëqyrëse zgjeroi urdhrin e mëparshëm, thanë zyrtarët.

“Ne presim që muajt e ardhshëm të kemi kompani shtesë në urdhrin e ri ekzekutiv për ndalesën”, thanë ata.

Presidenti Biden po shqyrtonte një numër aspektesh të politikës amerikane ndaj Kinës. Administrata e tij kishte vonuar zbatimin e urdhrit të mëparshëm ndërsa formulonte kornizën e re të politikave të tyre.

Masa është pjesë e një serie më të gjerë hapash për të kundërshtuar Kinën, përfshirë forcimin e aleancave amerikane dhe ndjekjen e investimeve të mëdha të brendshme për të forcuar konkurrencën ekonomike amerikane, mes marrëdhënieve gjithë e më të tensionuara mes dy vendeve më të fuqishme në botë.

Departamenti i Thesarit pritet që të enjten bashkë me listën të publikojë edhe të dhëna se çfarë përfshihet tek teknologjia e mbikëqyrjes dhe të dhënat nëse kompanitë po ndihmojnë “shtypjen ose abuzimet serioze të të drejtave të njeriut” brenda ose jashtë Kinës, tha një nga zyrtarët.

“Duam të sigurohemi që çdo ndalim ë ardhshëm të jetë në terren të ligjshëm. Pra, listat tona të para me të vërtetë e pasqyrojnë atë”, tha zyrtari tjetër i administratës.

Në maj, një gjykatës nënshkroi një urdhër për heqjen e masës ndaj prodhuesit kinez të telefonave mobil Xiaomi, e cila ishte ndër kompanitë e profilit të teknologjisë kineze që administrata Trump e shënjestëroi për lidhjet e saj me ushtrinë e Kinës.

Më vonë gjykatësi pezulloi masën e vendosur ndaj kompanisë tjetër kineze të teknologjisë që krijon harta, Luokung Technology Corp.

Edhe Departamenti i Mbrojtjes kishte vendosur kufizime ndaj koorporatës ndërkombëtare e prodhimit të gjysmëpërçuesve në Kinë, me qëllim të rritjes së sektorit të saj të brendshëm të çipave.

LEXO EDHE:

Back to top button