SHBA mohon rritjen e numrit të viktimave civile në Afganistan

Numri i civilëve afganë, të vrarë nga sulmet ajrore, është rritur në mënyrë dramatike, pasi ushtria e Shteteve të Bashkuara i ka zbutur rregullat e saj të përfshirjes në vitin 2017, thuhet në një studim universitar amerikan.

Studimi, i kryer në kuadër të projektit Kostoja e Luftës në Universitetin Brown dhe në Universitetin e Bostonit, thotë se numri i civilëve të vrarë është rritur nga 250 në vitin 2016 në 700 më 2019 – më shumë se çdo vit tjetër që nga fillimi i luftës në Afganistan, më 2001.

“Kur Shtetet e Bashkuara i forcojnë rregullat e tyre të angazhimit dhe i kufizojnë sulmet ajrore atje ku civilët janë në rrezik, numri i viktimave civile bie; kur ato i lehtësojnë këto kufizime, civilët plagosen dhe vriten në një numër më të madh”, thuhet në raport.

Më 2017, SHBA-ja i ka zbutur rregullat e angazhimit ashtu që forcat amerikane të mos kenë nevojë të jenë në kontakt të drejtpërdrejtë me forcat e armikut, për të kryer sulme ajrore.

Hulumtimi i fundit universitar thuhet se është bazuar në të dhëna nga Kombet e Bashkuara, Departamenti i Mbrojtjes dhe burime të tjera, por ai është hedhur poshtë nga ushtria amerikane, e cila e ka cilësuar si “analizë të njëanshme”.

Sipas saj, raporti mbështetet në të dhëna të diskutueshme dhe i injoron viktimat civile të shkaktuara nga sulmet e talibanëve dhe të grupit tjetër militant, Shteti Islamik.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i forcave amerikane në Afganistan, Sonny Leggett, ka përmendur një raport të Misionit të Ndihmës të Kombeve të Bashkuara në Afganistan – i publikuar në muajin tetor – i cili ka vlerësuar se numri i viktimave civile, të shkaktuara nga sulmet ajrore të SHBA-së, ka rënë qysh në fund të shkurtit.

LEXO EDHE:

Back to top button