Ngrihet aktakuzë për kërcënimin e ambasadorit të Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit F.M. për shkak të veprës penale: shtytje për kryerje të veprave terroriste.

Aktakuza u ngrit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se i pandehuri, më 19 tetor të këtij viti, ka postuar në rrjetin social Facebook thirrje me përmbajtje kërcënuese kundër ambasadorit të Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi.

Thirrja për “vrasjen” e Gashit ka qenë “me paramendim dhe dashje”, tha Prokuroria.

Sipas saj, ajo është bërë pasi ambasadori Gashi ka postuar në Twitter një karikaturë të Profetit Muhamed, si shenjë reagimi ndaj vrasjes së një mësuesi në Francë.

“Me këto veprime, i pandehuri F.M. ka kryer veprën penale ‘shtytje për kryerjen e veprave terroriste’ nga neni 134 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

LEXO EDHE:

Back to top button