Haga vendos më 16 shtator për Thaçin dhe ish-krerët e UÇK-së
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se pret të shpallet i pafajshëm nga të gjitha akuzat në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Në intervistën e fundit të tij para vendimit të Gjykatës, Thaçi tha për TV Dukagjinin se pret lirimin nga çdo akuzë dhe se nuk ka çka t’i shtojë argumenteve të ekipeve mbrojtëse, si dhe fjalës së tij përfundimtare në sallën e gjyqit. Thaçi tha se nuk është penduar për iniciativën për themelimin e Dhomave të Specializuara me seli në Hagë, por ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, është përdorur vullneti i institucioneve të Kosovës.
Ndërkohë, ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, para së njëjtës gjykatë po zhvillohet paralelisht edhe një proces tjetër, nën akuza për pengim të drejtësisë. Kjo ngre pyetjen, nëse Thaçi do të shpallej i pafajshëm në rastin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, a do të lirohej menjëherë nga paraburgimi?
Në bazë të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Gjykatës Speciale, “kur një i akuzuar i paraburgosur shpallet i pafajshëm, ai lirohet menjëherë, përveçse kur mbahet në paraburgim në mënyrë të ligjshme, ose vuan një dënim për vepra penale të ndryshme nga ato në lidhje me të cilat është shpallur i pafajshëm”.
“Në rastin e zotit Thaçi, paraburgimi është urdhëruar nga Trupi Gjykues në procesin ndaj tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, si dhe nga gjyqtari i vetëm në procesin e veçantë ndaj tij për pengim të drejtësisë. Prandaj, nëse zoti Thaçi shpallet i pafajshëm në procesin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, çështja nëse ai do të vazhdojë të mbahet në paraburgim do të vendoset nga gjyqtari i vetëm që po shqyrton rastin për pengim të drejtësisë” i ka thënë Evropës së Lirë zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle.
Vendimin e fundit, të dhjetin me radhë për vazhdimin e paraburgimit, gjykatësi i vetëm e ka lëshuar më 31 korrik, duke vlerësuar se ende ekziston rreziku që Thaçi të pengojë procedurat ose të kryejë vepra të tjera penale.
Në të njëjtin vendim, gjykatësi caktoi edhe afatet për rishikimin e radhës të paraburgimit: Thaçi mund të paraqesë parashtresat e tij deri më 7 shtator. Nëse ai nuk e bën këtë, Prokuroria duhet të paraqesë qëndrimin e saj deri më 14 shtator, ndërsa Thaçi mund të përgjigjet deri më 21 shtator.
Thaçi ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, kur u arrestua nën akuza për krime lufte. Që atëherë, mbrojtjes së Thaçit i janë refuzuar të gjitha parashtresat për lirim nga paraburgimi. Madje, është refuzuar edhe një dorëzani prej 50 mijë eurosh, së bashku me disa kushte që Thaçi u zotua t’u përmbahej, në këmbim të lirimit nga paraburgimi.
Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata akuzohen se ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” që synonte kontrollin përmes frikësimit dhe dhunës ndaj kundërshtarëve. Viktimat përfshinin serbë, romë dhe shqiptarë që nuk mbështesnin UÇK-në. Prokuroria i konsideron ata përgjegjës edhe për krimet e vartësve të tyre.
Në mbështetje të mbrojtjes kanë dëshmuar disa prej figurave më të njohura të diplomacisë dhe sigurisë perëndimore të kohës së luftës, përfshirë ish-zëdhënësin e Departamentit amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe ish-komandantin e NATO-s për Evropën, Wesley Clark.








