Transportuesit në Strugë paralajmërojnë ndërprerjen e transportit
Gazetar: Miki Trajkovski
Nga 24 gushti, banorët e fshatrave të Strugës do të mbeten pa transport publik, pasi 15 transportues të linjave kanë paralajmëruar se do të ndërpresin transportin e udhëtarëve. Siç thonë ata, këtë hap e kanë ndërmarr për shkak të borxhit disavjeçar të papaguar nga ana e komunës për transportin e nxënësve, por edhe për shkak të çmimit të pandryshuar të biletave që nga viti 2022. Ata kërkojnë nga kryetari i komunës së Strugës Mendi Qyra dhe nga Këshilli komunal që ta marrin parasysh kërkesën e tyre, në mënyrë që të vazhdojnë punën. Disa prej tyre e kanë ndërprerë punën që sot. Sipas vlerësimeve, preken rreth 30.000 banorë.
„Vendosëm që në këtë mënyrë të përballemi me problemin e transportit publik, sepse mirëmbajmë linja në distanca të gjata. Nga Struga deri në Misllodezhdë ka rreth 20 kilometra, përkatësisht shkojmë deri në 950 metra lartësi mbidetare. Jemi përpjekur ta mirëmbajmë këtë linjë dhe t’i shërbejmë popullatës, por me rritjen e çmimeve të karburantit, pjesëve rezervë dhe shpenzimeve për mirëmbajtjen e automjeteve, tashmë nuk mund t’i përballojmë të gjitha problemet me të cilat ballafaqohemi çdo ditë. Fshati ynë është malor dhe këtu përfshihen edhe Bogovica, Bërçeva, Prisovjani dhe vendbanime të tjera. Për banorët që jetojnë atje, shërbimi i transportit duhet të sigurohet në kohë.“ – Flori Mena – transportues nga fshati Misllodezhdë.
Më 24 korrik, ata i janë drejtuar me shkrim Komunës së Strugës. Ata në shkresë kishin dhënë afat 15 ditor për pagesën e borxhit dhe korrigjimin e çmimeve.
„ Ne nuk mund të durojmë edhe një muaj, e jo më deri në muajin e 12-të të vitit 2026. Ne shpresonim se do të kishte sukses dhe se do të ecnim përpara, se do t’i paguante edhe borxhet e mëparshme, e jo të na fuste edhe më shumë në borxhe edhe me shkollat e mesme. Si të punojmë, nuk e di; nëse e dinë ata, le të na tregojnë. Në fund i thashë edhe kryetarit të komunës: me çfarë zgjidhje mendoni të vazhdoni më tej, do të sillni shoferë dhe autobusë nga Nepali?“ – Negovan Shumulikoski – transportues nga fshati Llozhan.
Kryetari i komunës së Strugës, Mendi Qyra, thotë se bëhet fjalë për borxh të vjetër, të akumuluar ndër vite.
„Ne, gjithsesi, kemi mundësi t’i paguajmë borxhet e mbetura, por normalisht kjo do të bëhej në një periudhë prej tre deri në katër muaj, pasi vazhdimisht po kryejmë pagesa. Gjithashtu, ky borxh është nga pushteti i mëparshëm dhe transportuesit duhet t’u drejtohen ish-kryetarëve të komunës dhe ish-funksionarëve, të cilët tani janë në opozitë, për të shpjeguar pse deri më tani nuk janë kryer pagesat.“ – Mendi Qyra – kryetar i Komunës së Strugës.
Sa i përket çmimit të biletave, Qyra thotë se do të ketë rritje në përputhje me parametrat që parashikon buxheti dhe se në seancën e ardhshme të Këshillit do të propozojnë rritje. /Alsat.mk








