SHBA: Mundësia që Irani ta furnizojë Rusinë me raketa, alarmuese

SHBA: Mundësia që Irani ta furnizojë Rusinë me raketa, alarmuese

Furnizimi i Rusisë me raketa balistike iraniane do të shkaktonte përshkallëzim të fortë të luftës në Ukrainë, thanë Shtetet e Bashkuara të premten, pas raportimeve se Irani dhe Rusia e kanë thelluar bashkëpunimin për transferimin e armëve të tilla.

Zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Sean Savett, tha se Shtetet e Bashkuara janë të alarmuara nga këto raportime.

“Çfarëdo transferimi i raketave balistike iraniane në Rusi do të përbënte përshkallëzim dramatik në mbështetjen e Iranit për luftën agresore të Rusisë kundër Ukrainës”, tha Savett.

Reuters raportoi në gusht se Rusia po e pret një dërgesë me qindra raketa balistike me rreze të shkurtra veprimi, Fath-360.

Wall Street Journal raportoi më 6 shtator se raketat me rreze të shkurtra veprimi janë dërguar në Rusi nga Irani.

Vizita në Teheran më 6 gusht e sekretarit të Këshillimit të Sigurimit të Rusisë, Sergei Shoigu – i cili më parë ka qenë ministër i Mbrojtjes i Rusisë – ka nxitur thashethemet se Moska po kërkon të marrë raketa nga Irani.

Prej muajve të parë të luftës në Ukrainë, dyshohet se Rusia ka përdorur dronët Shahed dhe Mohajer-6 të prodhuar nga Irani, shumë prej të cilëve janë gjetur pasi u rrëzuan në qytetet dhe fushëbetejat ukrainase.

Irani fillimisht e kishte mohuar se po e armatoste Rusinë, para se të dorëzohej dhe të pranonte se kishte furnizuar “një numër të kufizuar dronësh” në Moskë përpara luftës.

Më gjithë dëshmitë e mëdha, Teherani vazhdon të mohojë se dronët e tij po përdoren nga Rusia kundër Ukrainës. Kjo nuk i ka ndaluar Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian të vendosin sanksione ndaj Iranit për mbështetjen e Moskës. /rel

LEXO EDHE:

Back to top button