SHBA nis raketat me rreze të mesme veprimi

SHBA nis raketat me rreze të mesme veprimi

Gazetar: Shkëlzen Aqifi

Shtetet e Bashkuara do të dërgojë në Ukrainë raketa të teknologjisë së lartë me rreze të mesme. Sistemet e raketave janë pjesë e pakos së re të ndihmës ushtarake në vlerë prej 700 milionë dollarësh që SHBA-ja ka ndarë për Ukrainën.

Në këtë pako do të përfshihen edhe helikopterë, sisteme kundërtanke Javelin, makina taktike, pjesë rezervë për armë të tjera.

Vendimi i SHBA-së për të dërguar këto sisteme të raketave ka për qëllim që të krijojë një balancë midis dëshirës për të ndihmuar Ukrainën që të luftojë sulmet me artileri të Rusisë, teksa sigurohet që të mos i dërgojë armë Kievit që mund të godasin objektiva thellë brenda territorit të Rusisë, pasi një gjë e tillë besohet se do të përbënte një përshkallëzim të luftës.

SHBA pret që Ukraina t`i vendosë këto armë në rajonin lindor të Donbasit, ku luftimet janë më intensive dhe ku ato mund të përdoren për të goditur njësitë e artilerisë ruse dhe forcat ruse që mësyjnë qytete në zonë.

Por zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thonë se për dërgimin e sistemeve HIMARS  u ra dakord vetëm pasi morën garanci nga Presidenti Volodomyr Zelensky se armët nuk do të përdoreshin për të sulmuar objektivat brenda Rusisë.

Edhe Zelensky vetë e pohoi këtë në një prononcim për rrjetin amerikan Newsmax.

“Ne nuk jemi të interesuar për atë që po ndodh në Rusi,” tha ai. “Ne jemi të interesuar vetëm për territorin tonë në Ukrainë”, tha Zelensky.

Kancelari Olaf Scholz tha se Gjermania do të furnizojë Ukrainën me raketa moderne anti-ajrore dhe sisteme radari. Njoftimi se Gjermania planifikoi të rritë dërgesat e armëve erdhi mes kritikave se ajo nuk po bënte mjaftueshëm për të ndihmuar Kievin.

Scholz u tha ligjvënësve se Ukrainës do t’i sigurohet raketa IRIS-T të zhvilluara nga Gjermania, së bashku me vendet e tjera të NATO-s.

“Qeveria gjermane sapo ka vendosur që të furnizojmë sistemin IRIS-T, sistemin më modern të mbrojtjes ajrore që ka Gjermania. Kjo do t’i mundësojë Ukrainës të mbrojë një qytet të tërë të madh nga sulmet ajrore ruse”, tha Olaf Sholc, Kancelar i Gjermanisë.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po i hedhin benzinë zjarrit pas njoftimit të kësaj të fundit se do të dërgojë raketa me rreze të mesme veprimi në Ukrainë. Madje ai tha se nuk i beson Kievit se nuk do të përdorë këto armë kundër Rusisë. Peskov tha gjithashtu se Kremlini nuk do të përjashtonte një takim midis Presidentit Vladimir Putin dhe homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelenskyy, por se çdo bisedë e tillë duhet të përgatitet paraprakisht.

Gjatë 24 orëve të fundit raportohet të kenë humbur jetë shtatë persona dhe 16 të tjerë të jenë plagosur. Që nga fillimi i luftës 243 fëmijë raportohet të kenë humbur jetën nga bombardimet dhe sulmet ruse në vend. Ndërkohë 446 fëmijë të tjerë janë plagosur sipas Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës. Shifrat mendohet të jenë më të larta, pasi ato nuk përfshijnë viktimat vendet e pushtuara nga forcat ruse./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button