Shënon ulje cilësia e debatit në Kuvend

Gazetar: Mefail Ismaili

Cilësia e debatit në Kuvendi ka shënuar rënie dhe vlerësohet me notë të dobët. Gjatë prezantimit të raportit për monitorimin e punës së Kuvendit, nga Instituti për Demokraci theksuan se në gjashtë mujorin e dytët të vitit të kaluar debati në Kuvend ka marr notën 5.4, që është minimale dhe më e ulët se e gjysmë vjetorit të parë kur për cilësinë e debatit Kuvendi është vlerësuar me notë 5.6, shkruan Alsat.

“Në përgjithësi vërehet një përkeqësim i nivelit të argumentimit nga pjesëmarrësit në diskutimin në Kuvend. Folësit në 52% të fjalimeve të tyre nuk kanë pasur argumente, ndërsa në 41% kanë argumentuar dobët. Një ose më shumë argumente shënohen në 7% të diskutimit. Gjatë kësaj periudhe, në diskutimet e monitoruara është vërejtur ndryshim qëndrimi te 9 deputetë për shkak të argumentimit më të mirë të bashkëbiseduesve për pikën e rendit të ditës”, thonë nga Instituti për Demokraci.

Nga Instituti për Demokraci thonë se në periudhën korrik – dhjetor 2021 është mbajtur vetëm një seancë e pyetjeve parlamentare, e cila ka kufizuar mundësinë e Kuvendit për kontroll dhe mbikëqyrje të ekzekutivit, ndërsa nuk është mbajtur asnjë seancë mbikëqyrëse. Deputetët e opozitës kanë qenë më aktivë në pjesëmarrje në diskutime, duke marrë pjesë në 62% të diskutimeve të monitoruara, ndërsa deputetët e shumicës morën pjesë në 38%.

“Nga diskutimet e monitoruara, 42 për qind janë fjalime, ndërsa 28 për qind e diskutimeve janë replika dhe 24 për qind kundër replika. Kjo tregon në nivel relativ të kënaqshëm të interaktivitetit mes deputetëve, por krahasuar si periudhat e kaluara ka rënë dukshëm numri i replikave që dëshmon interes më të ulët për diskutim mes deputetëve”, njoftojnë nga Instituti për Demokraci.

Deputetët 91 herë e kanë shfrytëzuar të drejtën e fjalimeve procedurale për të treguar vërejtjet e tyre dhe qëndrimet, që shënon rritje të numrit të proceduraleve krahasuar me periudhat paraprake. Deputet më aktiv në Kuvend në periudhën nga korriku deri në dhjetor të vitit të kaluar, është Bojan Stojanovski nga radhët e VMRO-DPMNE-së, i cili në këtë periudhë në foltoren e Kuvendit ka qëndruar gjithsej 546 herë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button