Shigeru Ishiban zgjidhet Kryeministër i ri i Japonisë

Shigeru Ishiban zgjidhet Kryeministër i ri i Japonisë

Parlamenti i Japonisë zgjodhi të martën politikanin Shigeru Ishiban si kryeministër të ri të vendit. Ai pason Fumio Kishidën, nga e njëjta parti, që u detyrua të largohej nga detyra për shkak të një skandali korrupsioni.

Zoti Ishiba planifikon të zhvillojë zgjedhje të parakohshme parlamentare më 27 tetor, për të marrë votë-besimin e publikut.

Ai ka bërë thirrje për një aleancë më të fortë ushtarake rajonale.

Zoti Ishiba ka propozuar krijimin e një versioni aziatik të NATO-s. Po ashtu ai ka propozuar një partneritet më të barabartë në fushën e sigurisë mes Japonisë e Shteteve të Bashkuara, përfshirë komandimin e përbashkët të bazave ushtarake amerikane në Japoni.

Ai emëroi në kabinetin e tij dy ish-ministra të mbrojtjes, me të cilët ka punuar ngushtë – Takeshi Iwaya në postin e ministrit të Jashtëm dhe Gjeneral Nakatanin si shef të Mbrojtjes – duke vënë theksin tek politikat e mbrojtjes dhe të sigurisë.

Vetëm dy nga 19 ministrat janë gra. Qeveria ka qenë nën presion për të rritur numrin e grave në poste publike. Aktualisht gratë përbëjnë vetëm 10% të Dhomës së Ulët të parlamentit, duke e vendosur Japoninë pothuajse në fund të renditjes botërore sa i takon të barazisë gjinore.

Shumica e anëtarëve të kabinetit të tij, përfshirë vetë zotin Ishiba, nuk janë të lidhur me fraksionet e udhëhequra dhe të kontrolluara nga politikanët me ndikim të fuqishëm në parti dhe asnjë nuk është pjesë e grupit të fuqishëm të ish-kryeministrit Shinzo Abe, emri i të cilit ka qenë i lidhur me skandale të mëdha.

Sipas gazetës me prirje liberale ‘Asahi’, mungesa e një baze të qëndrueshme pushteti, mund të nënkuptojë gjithashtu se qeveria e zotit Ishiba do të jetë e brishtë dhe “mund të rrëzohet shpejt”, edhe pse ai shpreson të krijojë unitet brenda partisë, ndërsa përgatitet për zgjedhje./VOA

LEXO EDHE:

Back to top button