Shkëmbim zjarri në kufirin Kosovë-Shqipëri! Trafikantët sulmojnë policinë

Shkëmbim zjarri në kufirin Kosovë-Shqipëri! Trafikantët sulmojnë policinë

Një grup trafikantësh të qenieve njerëzore kanë pasur shkëmbim zjarri me policinë e Shqipërisë në kufirin Shqipëri-Kosovë, pasi u pikasën nga uniformat blu teksa po transportonin emigrantë nga vendet e treta drejt Bashkimit Europian.

Grupi i strukturuar kriminal i përbërë nga sirianë dhe algjerianë u lokalizua nga policia në fshatin Morinë, në kufirin e gjelbër me Kosovën. Atyre iu është bërë thirrje nga policia që të ndalonin, por në ato momente disa prej tyre kanë hapur zjarr duke vënë në rrezik jetën e efektivëve. Në këto kushte, në bashkëpunim edhe me Policinë Kufitare të Kosovës, janë vënë në ndjekje të trafikantëve të cilët janë vënë në pranga pas disa orësh.

Më konkretisht janë arrestuar 6 prej tyre, shtetas sirianë dhe algjerianë, si dhe shpallet në kërkim një shtetas tjetër algjerian. Bëhet fjalë për A. B., 27 vjeç, me shtetësi algjeriane, si dhe M. N., 25 vjeç, N. A., 20 vjeç, M. Sh., 21 vjeç, M. R., 20 vjeç dhe R. L., 40 vjeç, të pestë me shtetësi siriane, tashmë të arrestuar nga Policia. E ndërsa u shpall në kërkim S. G., 27 vjeç, me shtetësi algjeriane.

Ndaj tyre, rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Ndërkohë, uniformat blu po vijojnë kontrollin në zonë për gjetjen e armëve të zjarrit të përdorura në këtë rast, si dhe për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.

LEXO EDHE:

Back to top button