Shkencëtarët kanë shpikur një metodë për prodhimin e pakufizuar të ujit të pijshëm

Planeti ynë ka një problem që pritet të përkeqësohet në vitet e ardhshme. Bëhet fjalë për rezervat e ujit të pijshëm. Do të duhet të gjenden burime të reja të ujit të pijshëm për të përmbushur nevojat globale dhe rritjen e kërkesës.
Avulli i ujit mbi oqeane është një burim i pashfrytëzuar uji dhe një studim i ri përshkruan mënyrat e mundshme për të përdorur makineritë për të kthyer avujt e ujit mbi oqeane në ujë të pijshëm.
– Përfundimisht do të duhet të gjejmë një mënyrë për të rritur furnizimin me ujë të freskët sepse uji i ricikluar nga burimet ekzistuese, edhe pse i nevojshëm, nuk do të jetë i mjaftueshëm për të plotësuar nevojat njerëzore. Ne mendojmë se metoda jonë e re mund ta bëjë këtë në një shkallë të gjerë – tha Praveen Kumar, një inxhinier nga Universiteti i Illinois Urbana-Champaign.

Foto: Pixabay
Shkencëtarët propozojnë një strukturë, rreth 210 metra e gjerë dhe rreth 100 metra e lartë, që transporton, kondenson dhe mbledh ujin nga ajri i lagësht mbi sipërfaqen e oqeaneve. Ajri i lagësht do të çohej në bregun e afërt, ku sistemet e ftohjes mund të kondensonin avujt e ujit në një lëng. Kjo do të funksiononte me burimet e rinovueshme të energjisë.
Vlerësohet se vetëm një strukturë e tillë mund të plotësojë nevojat ditore për ujë të pijshëm të rreth gjysmë milioni njerëzve.
Nga i gjithë uji në botë, vetëm 3 për qind është i pijshëm dhe pjesa më e madhe e tij është e ndotur ose e padisponueshme. Mungesa e ujit të pijshëm shpesh prek njerëzit më të varfër në botë.