Shkencëtarët kanë zbuluar përgjigjen: Këto janë kufijtë përfundimtarë të vrimave të zeza ultramasive
Nëse llogaritjet janë të sakta, do të thotë se tashmë kemi arritur të zbulojmë vrimën më të madhe të zezë ultramassive
Shkencëtarët besojnë se në qendër të të gjitha galaktikave të mëdha fshihen vrima të zeza supermasive, gjigantë kozmikë me masa miliona apo edhe miliarda herë më të mëdha se masa e Diellit. Por disa vrima të zeza tejkalojnë edhe këto masa të mëdha dhe bëhen “vrima të zeza ultramasive”.
Vrima e zezë më masive e njohur, Phoenix A, ndodhet në qendër të grupit Phoenix, një nga më masivet e zbuluara ndonjëherë. E vendosur 5.8 miliardë vite dritë nga ne, vlerësohet të ketë një masë prej 100 miliardë diejsh. Një tjetër gjigant kozmik është Tonantzintla 618 (Ton 618), afërsisht një miliard vite dritë larg, me një masë prej rreth 66 miliardë Diej.
A ka një kufi se sa e madhe mund të rritet një vrimë e zezë?
Shkencëtarët e kanë bërë prej kohësh këtë pyetje dhe një ekip i udhëhequr nga Priyamvada Natarajan i Universitetit të Yale beson se ata e kanë përgjigjen.
“Ne i përkufizojmë vrimat e zeza ultramassive si vrima të zeza, masa e të cilave tejkalon 10 miliardë herë masën e Diellit,” shpjegoi Natarajan. “Për krahasim, vrimat e zeza supermasive kanë masa mbi 10 milionë masa diellore.
Sipas hulumtimit të tyre, masa e vrimave të zeza ultramasive është e lidhur me masën e yjeve në galaktikat në të cilat ndodhen. Galaktikat më të ndritshme me më shumë yje kanë më shumë gjasa të kenë vrima të zeza ultramasive në qendrat e tyre, që do të thotë se galaktikat qendrore më të ndritshme (BCG) janë kandidatët më të mirë për gjetjen e këtyre titanëve kozmikë, raporton Space.