Shkencëtarët kanë zbuluar se cila orë e ditës është më e mira për të pirë kafe
Pirja e kafesë në mëngjes mund të ketë më shumë përfitime shëndetësore sesa konsumimi i pijes gjatë ditës, sipas një studimi të ri, shkruan sot agjencia gjermane “dpa”.
Studiuesit donin të shihnin nëse koha e ditës që njerëzit pinë kafe ndikon në shëndetin e tyre. Ata studiuan më shumë se 40,000 të rritur amerikanë si pjesë e Studimit afatgjatë të shëndetit, të ushqyerit dhe stilit të jetesës.
Ata zbuluan dy modele të ndryshme të pirjes së kafesë: ata që pinë kafe në mëngjes dhe ata që e pinë atë gjatë ditës. Më shumë se një e treta (36 përqind) e pjesëmarrësve pinin kafe në mëngjes dhe 14 përqind e tyre gjatë ditës.
Një ekip studiuesish të udhëhequr nga ekspertë të Universitetit Tulane në SHBA vëzhguan pjesëmarrësit për gati dhjetë vjet. Gjatë ndjekjes, 4295 pjesëmarrës vdiqën. Duke marrë parasysh faktorë të ndryshëm, studiuesit zbuluan se njerëzit që pinin kafe në mëngjes kishin 16 për qind më pak gjasa të vdisnin sesa ata që nuk pinin fare kafe. Ata gjithashtu kishin 31 për qind më pak gjasa të vdisnin nga sëmundjet e zemrës.
Për njerëzit që pinin kafe gjatë ditës, nuk kishte ulje të rrezikut në krahasim me ata që nuk pinin kafe.
“Pirja e kafesë në mëngjes mund të lidhet më fort me një rrezik më të ulët të vdekshmërisë sesa pirja e kafesë më vonë gjatë ditës”, shkruajnë studiuesit në European Heart Journal.
Nuk është e rëndësishme vetëm nëse pimë kafe dhe sa, por edhe koha e ditës kur e pimë atë
Autori kryesor i studimit, Lu Chi i Universitetit Tulane, tha: “Kërkimet e deritanishme tregojnë se pirja e kafesë nuk rrit rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare dhe duket se zvogëlon rrezikun e disa sëmundjeve kronike si diabeti i tipit 2”.
“Duke pasur parasysh efektet që kafeina ka në trupin tonë, ne donim të shihnim nëse koha e ditës që pimë kafe ndikon në shëndetin e zemrës”.
“Gjetjet tona tregojnë se nuk është e rëndësishme vetëm nëse pini kafe dhe sa, por edhe koha e ditës kur e pini atë. Si rregull, ne nuk japim këshilla për kohën në rekomandimet tona dietike, por ndoshta duhet ta konsiderojmë këtë në të ardhmen”, shtoi ai.
Ai theksoi se ky hulumtim nuk zbulon pse pirja e kafesë zvogëlon rrezikun e vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare.
“Një shpjegim i mundshëm është se konsumimi i kafesë pasdite mund të prishë ritmin cirkadian dhe nivelin e hormoneve si melatonina. Kjo nga ana tjetër çon në ndryshime në faktorët e rrezikut kardiovaskular, si inflamacioni dhe presioni i gjakut”.