Taravari për vdekjen e foshnjës 7 muajshe: Nuk është konstatuar gabim mjekësor, reagon babai i foshnjës
Taravari për vdekjen e foshnjës 7 muajshe: Nuk është konstatuar gabim mjekësor, reagon babai i foshnjës
Ministri i Shëndetësisë thotë se për vdekjen e foshnjës 7 muajshe në Klinikën e Fëmijëve kohë më parë, raporti pas kontrolleve nuk ka konstatuar gabim mjekësor. Sipas tij thotë se sëmundja e ka bërë veten ose foshnja është dërguar vonë për kurim, por tha se fatmirësisht mjekët nuk kanë bërë asnjë gabim. Deklarata e tillë e Taravarit ka revoltuar prindërit e foshnjës 7 muajshe.
Babai i foshnjës për mediat ka theksuar se është i dëshpëruar nga ministri i Shëndetësisë për shkak të deklaratës së tij.
“ Unë fëmijën e humba. Si mund të thotë “për fat të mirë”. Përse foshnja nuk u pranua kur e dërgova në spital kur kishte shansin për të shpëtuar, por na lëshuan në shtëpi. Kur e dërgova të hënën nuk bënë analiza se çfarë ka. Nuk thërritën dermatolog, infektolog. Për 5 ditë më shkoi fëmija ndërsa ministri thotë “për fat të mirë”, reagon babai foshnjës. Ai tha se planifikon ta padisë Klinikën e Fëmijëve pasi të marrë raportin e obduksionit, i cili akoma nuk është gati.
“Nuk ka përgjegjësi nga mjekët, raporti ka arritur, unë e kam lexuar, që nga dita e hënë nëse nuk gaboj. Për fat të mirë profesionistët konstatuan se mjekët nuk kanë kryer asnjë gabim. Ndoshta sëmundja e ka bërë të veten, ndoshta më vonë është sjellë fëmija, megjithatë është konstatuar se nuk ka gabim mjekësor”, tha Arben Taravari, Ministër i Shëndetësisë.