Shkëndija shpalos planin e ndeshjeve kontrolluese në Maqedoni dhe Turqi

KF Shkëndija ka bërë publik planin e ndeshjeve kontrolluese që do të zhvillojë gjatë fazës përgatitore dimërore. Tetovarët kanë konfirmuar gjithsej gjashtë takime testuese, dy prej të cilave do të zhvillohen në Maqedoni, ndërsa katër të tjera në kuadër të kampit stërvitor në Antalia të Turqisë.

Sipas planit të publikuar nga klubi, Shkëndija nis përgatitjet me një duel miqësor ndaj Bellasicës këtë të premte (17 janar) në Strumicë, ndërsa më 22 janar do të përballet me Tikveshin në Kavadar. Arsyeja që këto takime zhvillohen si mysafir është bora dhe moti i rënduar në Tetovë, që mund të ndikojë në rrjedhën normale të stërvitjeve. Klubi shpreson se në juglindje të vendit kushtet do të jenë më të përshtatshme për zhvillimin e lojërave.

Pas këtyre dy testeve, ekipi i Jeton Beqirit do të zhvendoset më 25 janar në Antalia, ku do të qëndrojë deri më 8 shkurt dhe do të zhvillojë katër ndeshje të tjera. Në Turqi, Shkëndija do të përballet me kundërshtarë cilësorë si Yelimay Semey nga Kazakistani (26 janar), Zorya Lugansk nga Ukraina (30 janar), SKN St. Pölten nga Austria (3 shkurt), dhe së fundmi Dynamo Kyiv (6 shkurt), një tjetër skuadër e fuqishme nga Ukraina.

Ky program ndeshjesh është menduar për të testuar ekipin në nivele të ndryshme dhe për të përgatitur skuadrën për gjysmën e dytë të sezonit.

Programi i plotë i ndeshjeve kontrolluese të Shkëndijës:

FK Bellasica (17.01.2025) – Strumicë

FK Tikvesh (22.01.2025) – Kavadar

Yelimay Semey (26.01.2025) – Antalia

Zorya Lugansk (30.01.2025) – Antalia

SKN St. Pölten (03.02.2025) – Antalia

Dynamo Kyiv (06.02.2025) – Antalia

Shkëndija pritet të përfitojë maksimalisht nga këto teste, duke u përballur me kundërshtarë vendas dhe ndërkombëtarë për të ngritur formën dhe harmoninë në ekip./Sportmania.al/

LEXO EDHE:

Back to top button