Shkolla Fillore “Naim Frashëri” në Reçicë të Tetovës është përuruar për herë të dytë brenda një viti

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Shkolla Fillore “Naim Frashëri” në Reçicë të Tetovës është përuruar për herë të dytë brenda një viti, por nxënësit procesin mësimor e nisën akoma pa përfunduar të gjitha punimet, pa rrethojën mbrojtëse të shkollës, pa sallën sportive por edhe pa rregullimin e oborrit që shfrytëzohet për pushimin e nxënësve. Se shkolla akoma nuk është gati flet edhe fakti se në të mësimin e ndjekin vetëm nxënësit e klasave të para dhe të dyta ndërsa paralelet tjetër në objektin e shkollës qendrore.

Pas kamerave, drejtori i shkollës tha se mungon edhe kuadri, por përkundër këtyre mungesave, Ministri i Arsimit Jeton Shaqiri, tha se gjithçka është kompletuar për një fillim të mbarë të vitit shkollor.

Kjo shkollë, gëzuar, ta gëzojnë të gjithë. Çdo dokumentacion është kaluar dhe tash është në menaxhim të komunës. Në afat prej dy tre javë plotësuam gjitha kërkesat edhe nga komuna edhe nga Ministria dhe kjo shkollë çdo gjë e ka komplet. Nuk fillon me mungesë kuadri atë do e thotë drejtori, këtu ka filluar gjithëçka e përgatitur dhe nuk ka ndonjë informacion të tillë” – Jeton Shaqiri. Ministër i Arsimit

Pas vizitës së ministrit, në vizitë erdhi kreu i komunës Bilall Kasami, andaj dhe nxënësit, i detyruan për të dytën herë ta përsërisin programin artistik që kishin përgatitur për defiletë e politikanëve.

Kasami premtoi se do të bëhen investime në këtë shkollë për kompletimin e saj ndërsa për dallim nga Ministri, kreu i komunës pranoi se kjo shkollë ka edhe mungesë si të kuadrit duke ia hedhur për këtë fajin Ministrisë. Ai madje i bëri edhe thirrje publike ministrit të Arsimit, që të miratojë kërkesat e komunës.

Kjo shkollë u promovua edhe më herët, pati një promovim edhe para zgjedhjeve pra fatkeqësisht kjo shkollë është keqpërdorur politikisht shumë në të kaluarën. Por do përkushtohemi që sa më shpejtë të bëjmë që nxënësit të kenë kushtet e nevojshme për një proces të rregullt edukativo arsimor. Sigurisht se do kemi nevojë edhe për kuadër shtesë dhe ne bashkë me sektorin e arsimit në kohë kemi bë kërkesë në ministri edhe për financimet e vjetra edhe për të rejat por fatkeqësisht s`kemi përgjigje as për njërën as për tjetrën. Publikisht kërkojmë nga Ministri i arsimit që komunës së Tetovës ti përgjigjet pozitivisht” – Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës

Banorët e lagjes së Reçicës së Vogël në Tetovë me vite të tëra kanë kërkuar objekt të ri pasi mësimin në arsimin fillor e ndjekim rreth një mijë nxënës./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button