Shkupi dhe Sofja ndaras përkujton vëllezërit Kirili dhe Metodi

Shkupi dhe Sofja ndaras përkujton vëllezërit Kirili dhe Metodi

Gazetar: Lluka Andreev

Pavarësisht se teksti për përkujtimin e përbashkët të vëllezërve të shenjtë Kiril dhe Metodi, historianë maqedonas dhe bullgarë e harmonizuan në vitin 2018, dy delegacionet shtetërore këtë ditë po e festojnë ndaras në Romë, shkruan Alsat.

Bashkëkryetari i Komisionit të Përzier nga pala bullgare sot për herë të parë tregoi se si është formuluar teksti për të cilin tashmë është arritur zgjidhja.

“Ky është një nga sukseset e pakta në punën tonë, dmth arritëm një marrëveshje me kolegët tanë, që kur flasim për vëllezërit e shenjtë, është shumë e rëndësishme të theksohet roli i shtetit bullgar dhe sundimtarëve të tij, perandorëve Boris dhe Simeon për ruajtjen dhe zhvillimin e krijimtarisë së krijuar nga vëllezërit shenjtorë, si dhe letërsinë dhe kulturën e krishterë”, deklaroi Angel Dimitrov – historian bullgar.

Historianët maqedonas paraprakisht thanë se detyrë e Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme është që të publikojnë tekstet për përkujtim të përbashkët të personave, për të cilët është arritur marrëveshje. Edhe pse teksti ka kohë që është miratuar në seancë qeveritare, nga Qeveria ende nuk e kanë bërë publike. Pse këto tekste ende nuk janë në dispozicion për publikun, edhe pse janë bërë 4 vite, nga Qeveria na thanë që përgjigjet t’i kërkojmë në një adresë tjetër.

“Për pyetjet tuaja ju orientojmë në Ministrinë e Jashtme, ku do të merrni përgjigje të drejtpërdrejtë”, njoftojnë nga Qeveria.

Këtë pyetje Alsat ia bëri Ministrisë së Jashtme muajin e kaluar, por ende nuk ka një përgjigje nga atje. Madje ka dis-harmoni mes autoriteteve se kush është përgjegjës për publikimin e teksteve të dakorduara. Zëvendëskryeministri Mariçiç thotë se përgjigje duhet kërkuar nga një vend i tretë.

Nëse ka rezultate, pse të mos i publikoni?

“Këtë duhet ta diskutoni me Komisionin”, u përgjigj Bojan Mariçiq – Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

Deri më tani në Vatikan, dy delegacionet shtetërore kanë përkujtuar bashkërisht shenjtorët Kirili dhe Metodi, në vitin 1999, si dhe në vitin 2018. Përveç Kirilit dhe Metodit, historianët kanë dakorduar edhe një tekst të përbashkët për përkujtimin e Shën Klementit dhe Shën Naumit, si dhe të Car Samuilit. Pikërisht nga historianët bullgarë, opinioni maqedonas u informua se në tekst thuhet se Car Samuil është trashëgimtar i traditës perandorake bullgare./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button