Shpeshtohet retorika për shfuqizimin e Qeverisë Teknike

Shpeshtohet retorika për shfuqizimin e Qeverisë Teknike

Gazetare: Ajnur Bafqari

Ndërsa grupet parlamentare po shqyrtojnë një draft version që kanë marrë lidhur me shfuqizimin e Qeverisë Teknike, kryeministri Mickoski vazhdon të këmbëngul se shfuqizimi do të jetë çështje e kryer pas zgjedhjeve të ardhshme, qofshin ato të parakohshme apo të rregullta në vitin 2028.

“Ja të mos jemi ne ‘ata të këqijtë’, themi, ja në zgjedhjet e ardhshme le të vlejë qeveria teknike, do t’i japim mundësi opozitës që të kenë ministrat teknikë nëpër resorët, si ministria e Politikës Sociale Demografisë dhe të rinjve, dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa shtesë janë në Bujqësi, Financat, dhe tani do të jetë edhe administrata publike. 32:41 Tani le të shtrëngohen dhe të fitojnë në zgjedhje dhe nga zgjedhjet e ardhshme të mos vlejë, unë nuk mund të fitoj për ta në zgjedhje tani”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Shfuqizimit të qeverisë teknike, opozita shqiptare nuk do t’i jep mbështetje blanko. Zejd Rexhepi nga Fronti Evropian, në intervistën për Alsat, përmendi tre kërkesat që i kanë parashtruar në takimin e liderëve, të cilat tha se duhet të merren parasysh, pasi bëhet fjalë për marrëveshje politike ku të gjitha palët duhet të jenë të dakorduara.

“Ne jemi opozitë dhe ne duhet të shohim interesin e shqiptarëve nga prizmi i opozitës edhe ajo shihet më së miri në momentin kur nesër në Qeverinë Teknike do të mund të ketë hapësirë edhe opozita. Në të kundërtën nëse duhet të bëjmë një lëshim të tillë do të ketë lëshim të ngjashëm edhe qeveria. Kjo është pjesë e marrëveshjeve politike nuk ka kushtëzime. Askush askujt si ka vendos litarin në fyt se duhet ta bësh ose jo. Dëshiron marrëveshje, ne këtë qëndrim e kemi, a për Qeverinë teknike garanci ka qenë edhe faktori ndërkombëtarë jo vetëm partitë politike. Ato trumpetojnë se me 61 vota mund ta bëjnë ndryshimin, po le ta bëjnë askush si ndal”, tha Zejd Rexhepi, Fronti Evropian.

Kundër shfuqizimit të Qeverisë teknike është LSDM, e cila nuk shkoi edhe në takimin e  liderëve të thirrur nga Mickoski, ku mes tjerash u diskutua edhe kjo temë.  Qeveria Teknike ishte rezultat i Marrëveshjes së Përzhinës për tejkalimin e krizës politike në vitin 2015. Sipas Ligjit për Qeverinë, një qeveri e re teknike formohet 100 ditë para zgjedhjeve, me kryeministër teknik dhe kuadro të përzier nga pushteti dhe opozita në pesë ministri që janë përcaktuar si kyçe. Kur ministri është nga njëra parti, zëvendësministri shtesë është nga partia tjetër dhe anasjelltas. Rasti i tillë është me Ministrinë e Punëve të Brendshme, të Politikës Sociale, Financave, Administratës dhe Bujqësisë. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button