Shpëtohet një person i cili tentoi të kërcejë nga kulmi i Klinikës së Psikiatrisë në Prishtinë

Policia e Kosovës, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente e kanë shpëtuar një person i cili dyshohet se kishte dashur të kërcejë nga kulmi i ndërtesës së Klinikës Psikiatrike.

Rasti ka ndodhur sot rreth orës 07:55.

“Pas një bashkërendimi të mirë dhe profesional të veprimeve të të gjitha ekipeve për menaxhimin e situatës së paraqitur, me ndihmën e shkallëve të zjarrfikëseve është arritur që zyrtarët policor të afrohen deri afër personit që dyshohej se do të kërcej nga kulmi i ndërtesës (klinikës)”.

Sipas njoftimit nga Policia e Kosovës, zyrtarët policorë në vazhdimësi me anë të komunikimeve janë munduar që ta vendosin nën kontroll personin në fjalë, i cili ka sulmuar edhe policët.

“Zyrtarët policorë gjatë tërë kohës përmes veprimeve dhe komunikimeve mjaft profesionale për rrethanat e ngjarjes janë përpjekur ta qetësojnë personin në fjalë në mënyrë që ta shmangin incidentin dhe për një çast është arritur të kapet personi, mirëpo gjatë përpjekjeve për ta kapur, personi në fjalë tashmë i dyshuari mashkull/kosovar (viti i lindjes 1993) ka filluar të përdorë dhunë të vazhdueshme dhe duke sulmuar zyrtarët policorë. Megjithatë, falë përpjekjeve dhe vendosmërisë së zyrtarëve, i dyshuari është vënë nën kontroll dhe me ndihmën e zjarrfikësve është arritur zbritja e tij në tokë, përderisa i njëjti menjëherë iu është nënshtruar trajtimeve mjekësore në klinikën psikiatrike”.

Me këtë rast tre zyrtarët policorë janë lënduar dhe kanë marrë trajtim mjekësor.

“Gjatë këtij intervenimi për ta parandaluar personin në fjalë të kërcejë nga ndërtesa dhe ballafaqimit me të, lëndime trupore kanë marrë tre zyrtarë policorë, të cilët kanë marrë trajtim mjekësor në emergjencë. Lidhur me rastin janë intervistuar edhe disa dëshmitarë dhe në konsultim me prokurorin janë ndërmarrë veprimet e nevojshme për inicimin e procedurave të rastit”.

LEXO EDHE:

Back to top button