Shpëtoi edhe herën e tretë Rade Trajkovski – Shtekli
Shpëtoi edhe herën e tretë Rade Trajkovski - Shtekli
Gazetar: Mihailo Donev
Atentati i tretë ndaj Rade Trajkovskit erdhi pasi një bombë shpërtheu sot në mëngjes në orën 9.20 në oborrin e shtëpisë ku ai jeton në lagjen Keramidnica të Shkupit. Ai u transportua në spitalin e qytetit, nuk është në gjendje rreziku për jetën dhe sipas informacioneve të Ministrisë së Brendshme, nuk ka persona të tjerë të lënduar. Tani për tani, mbetet e panjohur për publikun se kush qëndron pas sulmit të fundit ndaj Shteklit.
Informacioni që kam marrë deri në orën 10 është se personi nuk është në gjendje rreziku për jetën, dhe se po trajtohet nga shërbimet brenda Ministrisë së Brendshme, deklaroi Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm.
Sulmi ndaj Shteklit u njoftua më parë në rrjetin social Tik-Tok, me një video të një shpërthimi në Keramidnicë dhe një përshkrim nën videon se po vinte një kataklizëm. Toshkovski tha se MPB nuk do të mbyll sytë dhe do ta hetojë rastin deri në fund.
“Pas procedurave fillestare diagnostikuese, u gjetën djegie në fytyrë dhe qafë dhe pacienti u ankua për ulje të dëgjimit në një vesh gjatë ekzaminimeve. Vetë plagët dhe mavijosjet janë trajtuar në institucionin tonë, për ekzaminime shtesë është dërguar në Klinikën për vesh,hundë dhe fyt”, tha Nebojsha Nastov, Drejtor i Spitalit të Përgjithshëm të Qytetit.
Rade Trajkovski Shtekli u ekstradua në vend nga Serbia për lidhjen e tij të pretenduar me vrasjen e futbollistit të ri Martin Janushev, por nuk u akuzua zyrtarisht pasi nuk u gjetën dëshmi kundër tij. Ndërkohë, pas ekstradimit të tij nga Beogradi, ai bëri gjashtë muaj burg në Shutkë për një vepër tjetër. Vitin e kaluar, në një periudhë prej vetëm dy muajsh, ai ishte objektivi i dy sulmeve në qendrën tregtare East Gate, dhe në një nga sulmet ai u godit me pesë plumba, pas së cilës ai iu nënshtrua një operacioni dhe u shpëtua. /alsat.mk