Shqipëri, kuvendi vazhdon t’i zhvillojë seancat nën tension të opozitës
Shqipëri, kuvendi vazhdon t’i zhvillojë seancat nën tension të opozitës
Kuvendi i Shqipërisë vazhdon t’i zhvillojë seancat plenare nën tension. Edhe sot, seanca plenare u ndërpre pas tensioneve të krijuara nga opozita. Opozita nisi t’u binte tavolinave dhe të kundërshtonte nga vendi, pasi nisi fjalimin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ndërkohë një deputet opozitar shkoi në Kuvend me presh dhe lopatë në dorë, në shenjë proteste. Në seancën e sotme, në Kuvendin e Shqipërisë pritej të votohej projekt buxheti i 2025 prej 8 miliard eurosh. Edi Rama, mes të tjerash njoftoi për rritjen e bonusit të fund vitit për pensionistët. Ndërsa premtimet për buxhetin dhe pensionet nga ana e opozitës, Rama i quajti qilima fluturues dhe përralla të 1001 netëve.
“Zonja kryetare, praktika e ndërprerjes së fjalës me forcë të kujtdo qoftë që merr fjalën këtu në këtë tribunë, duhet të marrë përgjigje me kalim në votim. Çdokush që rreket t’i tundojë sot pensionistët me përrallat e Sudes dhe Rrapushit për t’i ngjitur pensionet në majën e dëshiruar me shpejtësinë e qilimit fluturues, është vetëm një prurës fatkeqësie për rikthimin e këtij vendi mbrapa në rrugën e piramidave dhe të agonisë pa shtet”, deklaroi Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë. /Alsat.mk