Shtohet numri i të prekurve nga sëmundjet e mushkërive, shkaku i ajrit të ndotur dhe duhanit

Shtohet numri i të prekurve nga sëmundjet e mushkërive, shkaku i ajrit të ndotur dhe duhanit

Gazetare: Linda Ebibi

Sëmundjet kronike të mushkërive kanë marrë një hov të madh në vend. Sipas statistikave 100 mijë pacientë vuajnë nga këto sëmundje, ndërsa shkaqet kryesore për këtë janë duhani dhe ndotja e ajrit. Pjesa më e madhe e qytetarëve simptomat e sëmundjeve kronike i injorojnë ose nuk i njohin aspak.

“Në Maqedoni minimumi janë rreth 100 mijë pacientë me këtë sëmundje. Arsyeja kryesore për këtë është pirja e duhanit. Maqedonia është ndër vendet e para në Evropë që përdorin duhan dhe konsiderohet se 45 për qind e popullsisë në Maqedoni janë duhan pirës. Ndotja e ajrit ndikon, edhe tek personat e shëndoshë dhe tek të sëmurit. Tek pacientët me sëmundje kronike është sikurse të hidhet kripë në plagë, dhe për këtë kemi një numër të madh të kontrolleve dhe hospitalizimeve gjatë dimrit, çdo herë dimrit ndodh kjo”, u shpreh Dimitar Karkinski, drejtor i Institutit për sëmundje të mushkërive dhe tuberkulozit.

Simptoma më e shpeshtë për sëmundjet e mushkërive është kollitja, ndërsa mjekët thonë se pacientët vijnë për kontrolle në fazë të avancuar të sëmundjes.

“E para është kollitja, veçanërisht duhan pirësit kolliten ndërsa askush nuk vjen për kontroll. Kur fillon të ju fishkëlleje gjoksi, kur nuk mund të dalin jashtë, dhe e kanë vështir të ngjiten për shkallë, atëherë vijnë për kontroll, por ajo sëmundje veç më ka përparuar”, tha Dimitar Karkinski drejtor I institutit për sëmundje të mushkërive dhe tuberkulozit.

Për ngritjen e ndërgjegjësimit Instituti për sëmundje të mushkërive dhe tuberkulozit sot ofroi kontrolle falas për qytetarët. Të moshuarit thonë se ndotja e ajrit ndikon shumë keq tek ata.

“Unë jam diabetike dhe me tension të lartë të gjakut, më tregoi një shoqe për këtë dhe erdha, pasi shkoj nëpër kontrolle dhe deri më tani për 18 vite as diabetin as tensioni nuk ma kanë rregulluar mjekët, mundohem me ushqim, por dobët. Tani më thanë se duhet të shkojë në spirometri. Ajri i ndotur ndikon shumë, dhe për këtë nuk dal”, u shpreh një qytetare.

“Tani jam 76 vjeçare, dhe kam 50 vite që pijë duhan. E kam të vështirë të heq dorë nga duhani. E di që nuk duhet të pijë duhan. Ndotja e ajrit nuk ndikon shumë, sepse unë nuk dalë shumë”, tha një tjetër qytetare.

Mjekët rekomandojnë se gjëja e parë që duhet bërë pacientët për parandalimin e sëmundjeve kronike të mushkërive është të ndalojnë pirjen e duhanit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button