Shqipëri / “Save Narta” – Qytetarët ngrihen kundër resortit, marshim masiv nga plazhi i Dalanit
Përfaqësues të shoqërisë civile, intelektualë, aktivistë për mbrojtjen e mjedisit, së bashku me qytetarë të ardhur nga zona të ndryshme, sot u mblodhën në zonën e Porto Novos për të protestuar kundër një projekti investimi në Zvërnec, të Shqipërise. Protestuesit shprehen se janë kundër ndërhyrjes së planifikuar, duke argumentuar se projekti rrezikon të dëmtojë një zonë me vlera të larta natyrore dhe mjedisore. Sipas tyre, kjo hapësirë ka rëndësi të veçantë si për komunitetin lokal, ashtu edhe për qytetin e Vlorës në tërësi.
Ata theksojnë se kundërshtimi i tyre do të vijojë edhe në ditët në vijim, derisa të merren në konsideratë shqetësimet e ngritura për ndikimin në mjedis.
Ndërkohë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka postuar ditën e sotme në rrjetin e tij në Facebook një shembull investimi elitar në turizën, në një zonë të mbrojtur në Portugali.
BOLL I KEMI PAGUAR HARAÇ BUDALLALLËKUT TONË 100 VITE!
SHQIPËRIA E RILINDUR TURISTIKE DO HYJË ME SE S’BËN NË LIGËN E KAMPIONËVE TË TURIZMIT BOTËROR DHE EUROPA E BOTA DO TË NA VLERËSOJË PËRFUNDIMISHT SI VEND I BEKUAR JO I MALLKUAR”, shkruan Rama në Facebook.
Protestat për Zvërnecin nisën pas publikimit të planeve për zhvillimin e një projekti turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, pranë Lagunës së Nartës në Vlorë. Kundërshtarët e projektit theksojnë e ndërhyrja rrezikon ekosistemin e zonës, biodiversitetin dhe karakterin natyror të një prej hapësirave më të rëndësishme bregdetare në Shqipëri.
Nga ana tjetër, Qeveria dhe mbështetës të projektit argumentojnë se investimi do të sjellë zhvillim ekonomik, vende të reja pune dhe rritje të potencialit turistik të rajonit. / lajm i përditësuar
Qytetarët janë kthyer sërish në protestë në Zvërnec, zonën ku parashikohet të ndërtohet resorti nga dy vëllezërit Al-Khayyat nga Katari.
Dhjetëra qytetarë u rreshtuan në bregun e detit duke formuar me trupat e tyre fjalën “SAVE NARTA”, një protestë simbolike për mbrojtjen e lagunës dhe kundërshtimin e projektit turistik që parashikohet të ndërtohet në zonë.
Me thirrjet “anulo projektin”, apo “Edi Rama dorëhiqu”, “Narta është e jona”, “Larg duart nga Zvërneci” protestuesit kërkojnë mbrojtjen e natyrës, biodiversitetit dhe identitetit të zonës së Nartës e Zvërnecit.
Flamingoja është kthyer në simbol të kësaj proteste qytetare. Për shumë prej tyre, beteja nuk është vetëm për një copë tokë, por për të mbrojtur një nga ekosistemet më të rralla të vendit e prandaj bëjnë thirrje që të anulohet projekti.








