Shtyhet evakuimi i civilëve në Mariupol, Orlov: “Evakuimi i pamundur mes bombardimeve”

Gazetar: Adnan Qaili
Autoritet ukrainase shtynë evakuimin e civilëve nga zonat më të prekura nga bombardimet, respektivisht Mariupol dhe Volnovakha, shkruan Alsat.
Megjithëse palët në raundin e fundit të bisedimeve ranë dakord për armëpushim për 4 orë në ditë ndërsa bëhej evakuimi i civilëve përmes korridoreve humanitare, plani dështoi. Sipas autoriteteve ukrainase, pala ruse nuk e ka respektuar armëpushimin e përkohshëm. Nënkryetari i bashkisë së qytetit i Serhiy Orlov tha se Mariupoli ende po bombardohej dhe u bëri thirrje civilëve të shpërndahen nga stacionet e autobusëve dhe të gjejnë vende strehimi.
“Ne kemi marr informacione se po zhvillohen luftime të ashpra në këtë rutë nga njëri qytet në tjetrin. Nuk ka siguri të kalohet përmes atij korridori për shkak të këtyre granatimeve. Ne kemi dy objektiva të lëvizim nga Mariupoli dhe Volnovakha. Ne e kuptuam se pala ruse nuk respektoi armëpushimin dhe vazhdon ta shkatërroj Mariupolin”, tha Serhiy Orlov, Nënkryetari i bashkisë së Mariupolit.
Por pala ruse me version plotësisht ndryshe. Ministri rus i mbrojtjes Igor Konashenkov tha se “nacionalistët” ukrainas i penguan civilët të largoheshin nga qytetet. Sipas tij, ushtria ruse do të respektojë një armëpushim për 4 orë në dy zona për të lejuar evakuimin e civilëve.
“Ushtria e Republikës Popullore të Donetskut vazhdon të forcojë rrethimin rreth qytetit të Mariupolit. Guerilët Azov dhe Aidar (batalione ukrainase) po qëllojnë kundër milicisë popullore që hyn në qytet nga pozicionet e vendosura në shkolla, kopshte, spitale”, deklaroi Igor Konashenkov, Ministri i Mbrojtjes së Rusisë.
Nga bisedimet ruso-ukrainase ranë dakord që pala ruse në koordinim me palën ukrainase të shpall një gjendje armëpushimi për të hapur korridoret humanitare për evakuimin e civilëve nga qytetet Mariupol dhe Volnovakha, qytete këto në jug-lindje të Ukrainës ndërmjet Krimesë dhe Donetskut përskaj Detit Zi. Por, evakuimi i civilëve ka vazhduar nga Kievi me trena të mbushur drejt Lvivit në Perëndim të Ukrainës./Alsat.mk