Shtyhet gjyqi për “Llaskarcën”, pala e dëmtuar dyshon për zvarritje të qëllimshme

Shtyhet gjyqi për “Llaskarcën”, pala e dëmtuar dyshon për zvarritje të qëllimshme

Gazetar: Ardit Ramadani

Listës së qindra seancave gjyqësore të anuluara për aksidentin fatal të autobusit të Durmo Tours në Llaskarcë sot iu shtua edhe një. Shtyrja ndodhi për shkak të mungesës së udhëheqësit të ekipit të ekspertëve, Zekirija Zekirit, që ka përgatitur super-ekspertizën me anë të së cilës synohet zbardhja e shkaqeve që kanë çuar në këtë aksident tragjik. Zekiri mos pjesëmarrjen në këtë seancë gjyqësore e kishte arsyetuar më atë se në moment të fundit i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore. Por, pala e dëmtuar dhe prokurori publik dyshojnë për skenar të kurdisur me qëllim të zvarritjes së kësaj procedure.

Pas dyshimeve në opinion për atë se a është kompetent apo jo ky person të punojë në këtë super-ekspertizë, e cila sipas palës së dëmtuar, amniston të gjithë të akuzuarit dhe tërë fajin e drejton te shoferi i autobusit, Manoil Trifunovski. ALSAT mëson lidhjet e ngushta të Zekirit me Bashkimin Demokratik për Integrim. Ai ka pasur disa funksione në këtë parti politike.

Zekiri në vitin 2018 kishte qenë shef i shtabit të Karshiakës për referendumin për ndërrimin e emrit. Në vitin 2019 ishte emëruar shef i shtabit të komunës së Studeniçanit për zgjedhjet presidenciale ndërsa në “Fejsbuk” lavdërohet se është pjesë e BDI-së nga themelimi i saj. Ai për ALSAT megjithatë mohon të ketë ndikuar kjo parti politike në punën e tij.

“Sa i përket aspektit politik, nuk ka lidhje, as nuk na ka thirre askush. Rastësisht kemi ra në atë komision dhe kam pranuar me qëllim që të zbulohet rasti i vërtetë. Ju garantoj me gjithçka se askush nuk na është paraqitur në telefon, as avokatët, as pronari i Durmo Tours, e sidomos jo drejtori i Byrosë për Ekspertiza Gjyqësore. Unë jam thjeshtë bashkëpunëtor i jashtëm. Tash dy vite kam licencën në këtë fushë” , tha Zekirija Zekiri, ekspert.

Rikujtojmë që paraprakisht realizimin e kësaj super-ekspertize e kishin refuzuar të gjitha fakultetet në vend me arsyetimin se nuk kanë ekspertë të mjaftueshëm. Por, edhe pse licencën e ka marrë tash dy vite, Zekiri ishte treguar ambicioz dhe kishte pranuar këtë detyrë nga drejtori i Byrosë për Ekspertiza Gjyqësore në krye me Valdet Xhaferin. Ky i fundit nuk përgjigjet në pyetjet tona në qoftë se libreza partiake e këtij eksperti fillimisht ka ndikuar në përzgjedhjen e tij në këtë detyrë dhe se a mund të ndikojë gjatë punës së tij në realizimin e super-ekspertizës. Punës së tij dhe të kolegëve të tij, nuk i besojnë as familjarët e viktimave.

“Çfarë të ju them, prej asaj që frikësoheshim dhe dyshonim ne për mënyrën mbajtjes së kësaj procedure gjyqësore sot u vërtetua. Nga aeroplani shihet se kjo sot është skenar i kurdisur, nga ana e ekspertëve, që i ashtuquajturi doktor i shkencave përnjëherë gjatë natës të sëmuret, pa i ofruar dëshmi gjykatës, edhe pse sipas ligjit, personi i ftuar në mënyrë të rregullt kushdo qoftë ai, duhet ta arsyetojë mungesën e tij”, u shpreh Bllagojçe Tërpevski, prind i viktimës.

Në dy seancat e fundit ai ishte marrë në pyetje nga gjykatësja e lëndës, por, për mënyrën se si është përgjigjur ka pasur reagime nga pala e dëmtuar dhe prokurori publik, duke ngritur dyshime se ai nuk është tërësisht i informuar për përmbajtjen e super-ekspertizës dhe se nuk ka punuar fare për të, por i është dhënë e gatshme. Andaj, për atë se në disa përgjigje i ndihmonin kolegët ekspertë të përgjigjet, kanë reaguar edhe nga koalicioni organizatave “Të gjithë për gjykime të drejta”, duke shtuar se dhënia e përgjigjeve në korr përbën shkelje të Ligjit për Procedurë Gjyqësore. Gjykimi për këtë lëndë ka filluar në shtator të vitit 2019, në aksident humbën jetën 16 persona ndërsa 37 u lënduan rëndë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button