Gazetar: Zekirija Haxhiu
Pos deputetëve që vizituan ASK-në, anëtarët e tjerë të komisionit për mbikëqyrje të punës së ASK-së, nuk e posedojnë certifikatën e sigurisë. Madje, certifikatë nuk posedojnë as kryetari e as nënkryetari i këtij komisioni, Skender Rexhepi dhe Blerim Bexheti. Një prej anëtareve që nuk posedon certifikatë dhe ajo nuk e di se pse, është deputetja e së “Majtës”, Jovana Mojsoska. Nga ASK-ja pret përgjigje për më tepër se gjashtë muaj, ndërsa ankohet se funksionarë që kanë shtetësi të dyfishtë, kanë marrë certifikatë të tillë, edhe pse ligji nuk e lejon.
“Edhe në mandatin e ri të drejtorit të ri të ASK-së shohim keqpërdorime. Po përsëritet praktika që deputetë nga opozita të mos marrin certifikatë të sigurisë, sekret shtetëror. Konkretisht unë para më shumë se gjashtë muaj kam dorëzuar kërkesë për certifikatë të sigurisë, edhe pse ligji për informacione të klasifikuara parasheh që duhet të marr përgjigje në afat prej gjashtë muajve, unë ende nuk kam marrë përgjigje për kërkesën time. Nuk e di nëse kjo ndodhë për shkak të ndonjë revanshizmi politik sepse “E Majta” e para e publikoi skandalin me diplomën e drejtorit të ASK-së”, tha Jovana Mojsoska – E Majta.
Nënkryetari i komisionit, Blerim Bexheti, bëri thirrje që të gjithë deputetët, automatikisht të bëhen edhe me certifikatë të sigurisë.
“Kjo shumicë parlamentare miraton shumë ligje, ja këtu publikisht ju bëj ftesë që deputetët me automatizëm të kenë certifikatë sigurie dhe të kenë qasje në informacionet e klasifikuara. Është e pakuptimtë kjo, minimalisht anëtarët dhe zv.anëtarët duhet të kenë certifikatë të këtillë me automatizëm po kjo le të mbetet në vullnetin e shumicës parlamentare”, u shpreh Blerim Bexheti – AKI.
Si anëtarë dhe zv.anëtarë të këtij komisioni, deputetët që nuk kanë certifikatë janë deputetët Bekim Sali, Jovana Mojsoska e Valbona Adili Emini. /Alsat.mk








