Shumë drejtime në shkollat profesionale sigurojnë punësim të menjëhershëm

Shumë drejtime në shkollat profesionale sigurojnë punësim të menjëhershëm

Gazetare: Melihate Rustemi

 

Agroteknik, Teknik për Agromenaxhment, Teknik për Fitomjeksi dhe Teknik për Mjekësinë Veterinare janë katër drejtimet e shkollës së mesme profesionale “Braqa Milladinovci” në Shkup ku akoma ka vende të lira për semimaturantët. Drejtuesit e shkollës thonë se përveç dijes, kjo shkollë mbjell edhe të ardhmen e shëndetshme të vendit kur bëhet fjalë për kultivimin e bimëve dhe blegtorisë.

“Kemi edhe drejtimin Agromenaxhment, nëse përfundon një nxënës në këtë drejtim mund të bëhet menaxher i një ferme, menaxhues të bizneseve private që në të ardhmen mund të hapin vet biznese të reja”, tha Arlinda Fazliu Shaziju, mësimdhënëse.

“Pas mbarimit të shkollës së mesme nxënësit bëhen gjysmë inxhinier në fushën e bujqësisë dhe u jepet mundësia për punësim të menjëhershëm në kompani të ndryshme bujqësore dhe mund të bëhen këshillues apo këshilltarë për fermerë të rinj të cilët mendojnë të hapin biznese të ndryshme për kultivimin e proceseve apo kultivimin e produkteve bujqësore. Shkolla jonë nuk mbjell vetëm dije por mbjell një të ardhme të një vendi apo të një shteti. E them këtë sepse vendi ka nevojë për ushqime të shëndetshme”, u shpreh Shefket Kadri, mësimdhënës.

Nxënësit që sapo kanë përfunduar dhe ato që vazhdojnë të ndjekin mësimet në këtë shkollë apelojnë semimaturantët të zgjedhin arsimin e mesëm që siguron punësim të menjëhershëm.

“Ishte një sfidë e bukur këtu sepse ka drejtime shumë të bukura. Unë jam në drejtimin agroteknik, në dekorimin e luleve, marr pjesë në projekte. Me këtë drejtim mund të hap një biznes për dekorimin e luleve e shumë të tjera”, tha Remzije Veseli, maturante.

“Bëjmë praktikën këtu në shkollë, marrim pjesë në shumë aktivitete të ndryshme, mbjellim lule, kultivojmë çdo gjë që kemi nevojë. Çfarë ju kishe apelu nxënësve që akoma nuk janë regjistru? Ju kisha thënë që nuk është asnjëherë vonë të vazhdojmë në drejtimet që na përkasin dhe mos të marrim vëmendjen nga të tjerët ku të regjistrohemi ndërkohë që kemi shumë mundësi të mira në shkollën tonë”, theksoi Zulejha Aliu, nxënëse.

Paraqitja e dytë për regjistrim në shkollat e mesme është më 30 qershor, ndërsa lista përfundimtare e nxënësve do të publikohet nga shkollat më 2 korrik. Sipas dikasterit të Arsimit, 14.305 semimaturantë tashmë kanë aplikuar në shkollat e mesme të vendit ndërkohë rreth 17 mijë semimaturantë kanë përfunduar arsimin fillor./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button