Shumë përdorues në mbarë botën, përfshirë dhe në Kosovë, nuk janë në gjendje të hyjnë në llogaritë e tyre në Twitter

Sipas raporteve të shumta, përdorues të shumtë në rrjetin social Twitter nuk janë në gjendje të kenë qasje në llogaritë e tyre – gjë që është duke ndodhur si pasojë e mos funksionimit të shërbimit të verifikimit përmes dy faktorëve me ç’rast, Twitter nuk është duke arritur të gjenerojë te përdoruesit që kanë aktiv këtë mekanizëm një kod SMS tek telefoni i përdoruesit për t’i ofruar qasje në llogari.

Por, çfarë është mekanizmi për verifikim me dy faktorë (2FA)?

2FA është një mekanizëm i përforcuar i sigurisë që mbron llogarinë tuaj nga përdorimi i paautorizuar duke mos e lënë plotësisht të mbështur vetëm në fjalëkalimin e llogarisë tuaj. Pasi të aktivizohet, përveç se do të duhet të vendosni fjalëkalimin tuaj, ju kërkohet gjithashtu një kod ose çelës sigurie për të hyrë në llogarinë tuaj si një metodë e dytë dhe më e avancuar për t’u qasur në llogari.

Tani për tani, problemi me të cilin përballen shumica e përdoruesve të Twitter-it është problemi i rrjetit social të gjenerojë kode 2FA në numrin tuaj të telefonit ose në shumë raste kodet iu dërgohen përdoruesve pas disa orëve.

“Ne nuk mund të dërgojmë një mesazh me tekst në këtë numër telefoni sepse operatori i tij nuk mbështetet”, është ky mesazh që po i shfaqet shumë përdoruesve, si në Kosovë ashtu edhe në vende të tjera në mbarë botën duke iu pamundësuar atyre qasje në llogaritë e tyre në këtë platformë që tashmë është duke u përballur me ndryshime të shumta.

Mbetet e paqartë pse Twitter nuk është në gjendje të gjenerojë mesazhet te përdoruesit me këtë metodë verifikimi ndërkohë reagimi i tyre i vetëm lidhur me këtë problem është bërë një muaj përmes llogarisë ku ofrojnë mbështetje për konsumatorët – Twitter Support.“Për të qartësuar konfuzionin rreth verifikimit me dy faktorë në Twitter – është ende aktiv dhe një mënyrë e mirë për të mbrojtur llogarinë tuaj. Nëse e keni të aktivizuar, metoda e zgjedhur e verifikimit duhet t’ju funksionojë. Ne po shqyrtojmë disa raste kur kodet SMS nuk dërgohen”, pati shkruar Twitter.

Problemi vazhdon të jetë ende i parregulluar dhe së fundmi raportet janë rritur dukshëm edhe në vende të tjera si Mbretëria e Bashkuar, Ukraina, Arabia Saudite dhe Nigeria.

Reagimi i tyre i vetëm dhe i fundit mbetet më 15 nëntor ndërkohë që kompania është duke u përballur me një seri ndryshimesh si në nivelin menaxherial ashtu edhe në atë funksional – gjë që supozohet se edhe nga rrjedh problemi.

 

LEXO EDHE:

Back to top button