Shumë zyrtarë nga vendi kanë paralajmëruar se do të marrin pjesë në inaugurimin e presidentit të 47-të të SHBA-së

Shumë zyrtarë nga vendi kanë paralajmëruar se do të marrin pjesë në inaugurimin e presidentit të 47-të të SHBA-së

Gazetar: Suad Bajrami

Kryeministri Hristijan Mickoski ka konfirmuar se do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit amerikan, Donald Trump më 20 janar në Uashington. Mickoski, prej më 18 janar do të udhëtojë për në SHBA, ku ka planifikuar të ketë takime, por nuk ka zbardhur agjendën e plotë.

Në inaugurim do të marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi. Ftesën, kryekuvendari e vlerëson si dëshmi e angazhimit për një bashkëpunim të vazhdueshëm me SHBA-të në të gjitha fushat.

Në Uashington do të jetë edhe Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët dhe ministër i Shëndetësisë. Kjo ngjarje, sipas Taravarit, pasqyron një hap të rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve me ShBA. Sipas paralajmërimeve, ai do të ketë edhe takime me përfaqësues amerikan dhe shteteve të tjera.

Pjesëmarrjen e ka paralajmëruar edhe kreu i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi. Bilall Kasami nga Lëvizja BESA, konfirmoi që ka marrë ftesë, megjithatë për shkak të obligimeve, nuk do të mund të jetë i pranishëm në Uashington.

Në ndërkohë, nga Presidenca nuk përgjigjen nëse Gordana Siljanovska Davkova do të udhëtojë për në SHBA.

Inaugurimi është ceremonia zyrtare që shënon fundin e kohës së një presidenti në detyrë dhe fillimin e administratës së pasardhësit të tyre. Është pjesa më e lartë e procesit të tranzicionit të pushtetit midis udhëheqësve të qeverisë në Uashington. Presidenti, zyrtarisht merr detyrën pasi ta thotë betimin.

Zyrtarët lokalë dhe federalë presin që rreth 200,000 njerëz të shfaqen në Uashington, ku mund të përfshihen mbështetësit dhe protestuesit e Trump për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit.

Zakonisht ka kërkesa të mëdha për të parë personalisht inaugurimin. Anëtarët e Kongresit marrin një numër të caktuar biletash për ceremoninë, të cilat mund t’ua shpërndajnë zgjedhësve të tyre. Këto bileta janë falas, por shpesh sfiduese për t’u marrë. Amerikanët mund të kontaktojnë drejtpërdrejt anëtarët e tyre të Kongresit për bileta. Ndërkaq, të tjerët i sigurojnë nëpërmjet kompanive lobuese.

Në inaugurimin e Trumpit, është paralajmëruar prania e ish presidentëve dhe zyrtarëve të lartë të SHBA-së, por edhe shumë kryeministra dhe presidentë të shteteve tjera, por edhe krerë të organizatave më të mëdha botërore.

George Bush, Bill Clinton, Elon Musk, Jeff Bezos, Mark Zuckerberg, janë vetëm disa prej emrave që kanë konfirmuar pjesëmarrjen. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button