Si e zgjidhi një historiane arti misterin 70-vjeçar të vjedhjes së një portreti të famshëm
Si e zgjidhi një historiane arti misterin 70-vjeçar të vjedhjes së një portreti të famshëm

Një vepër arti e piktorit të njohur flamand Anthony van Dyck u vodh nga një rezidencë madhështore 70 vjet më parë, sepse hajduti donte të blinte perde të reja, ka pohuar një historiane arti.
Misteri që rrethonte vjedhjen e skicës origjinale me vaj në Northamptonshire më në fund është zgjidhur, sipas dr. Meredith Hale-it nga Universiteti i Exeter-it.
Portreti i Wolfgang Wilhelm i Pfalz-Neuburg-ut, pjesë e një koleksioni prej 37 skicash me vaj të pikturuara në shekullin e 17-të, u vodh në vitin 1951 nga Boughton House, rezidenca e Dukës së Buccleuch dhe Queensberry në Northamptonshire, ku kishte qenë pjesë e koleksionit që nga viti 1682.
Zhvillimi i habitshëm i kësaj historie ndodhi gjashtë vjet më vonë, kur Mary Montagu Douglas Scott, Dukesha e Buccleuch dhe Queensberry, vizitoi një nga galeritë e Universitetit të Harvardit dhe e pa skicën të ekspozuar.
Tani, falë një hetimi nga dr. Hale, lektore e lartë në Historinë e Artit dhe Kulturën Vizuale, është zbuluar se si kjo vepër arti përfundoi në SHBA, duke kaluar nëpër duart e disa prej figurave më të rëndësishme të botës së artit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.
Dr. Hale kaloi një vit duke shqyrtuar korrespondencën mes të gjitha palëve kryesore, përfshirë shtëpinë e ankandeve Christie’s në Londër, për të rindërtuar një kronologji të saktë të ndryshimeve të pronësisë së pikturës dhe hetimeve që pasuan për të vërtetuar origjinën e saj.
Vepra artistike është rikthyer tashmë te pronarët e saj të ligjshëm, dhe historia e kërkimit të së vërtetës është dokumentuar në një studim të ri në British Art Journal.
Dr. Hale tha: “Përmes hulumtimeve të reja arkivore në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA dhe Kanada, arrita të rindërtoj lëvizjet e pikturës përgjatë tri gjeneratave, ndërsa ajo kaloi në duart e ekspertëve, konservatorëve, ankandistëve, tregtarëve dhe koleksionistëve nga Londra në Toronto.”
Ajo shtoi se burimet arkivore tregojnë jo vetëm një tablo dinamike të ngjarjeve teksa ato zhvilloheshin, por gjithashtu nxjerrin në pah faktorët që ndihmuan në suksesin e vjedhjes. Sipas saj, ndër faktorët kryesorë ishin kompleksiteti konceptual dhe material i projektit “Ikonografia” të Van Dyck-ut si dhe guximi i një hajduti të maskuar me petkun e ekspertizës.
Sipas dr. Hale-it, hajduti ishte Leonard Gerald Gwynne Ramsey, redaktori i revistës The Connoisseur dhe anëtar i Shoqatës së Antikuarëve.
Ramsey vizitoi Boughton House në korrik të vitit 1951, së bashku me një fotograf, për të mbledhur materiale për një artikull shtatëfaqësh për Year Book 1952 të revistës The Connoisseur.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, 37 panelet prej druri të projektit “Ikonografia” të Van Dyck-ut ishin vendosur në Boughton për t’u ruajtur. Secili panel përmbante një skicë me vaj të një princi, studiuesi, lideri ushtarak ose artisti të shquar, e cila ishte menduar të përdorej për krijimin e gravurave për shitje.
Sipas dr. Hale-it, skica e Wolfgang Wilhelm-it u regjistrua për herë të fundit në Boughton në korrik të vitit 1950 dhe ndodhej afër derës së një dhome të vogël magazinimi ose banje, duke e bërë atë më të lehtën për t’u vjedhur, siç sugjeroi dikur edhe Sir Oliver Millar, ish-zv/supervizori i Koleksionit Mbretëror.
Korrespondenca mes Ramsey-t dhe historianit të artit Ludwig Goldscheider zbuloi se Ramsey kishte planifikuar të shiste dy piktura sepse i duhej para për të blerë perde të reja.
Si rrjedhojë, Goldscheider siguroi një certifikatë autenticiteti, e cila shoqëroi portretin e Wolfgang Wilhelm kur u shit në mënyrë anonime në ankandin Christie’s për 189 paund në prill të vitit 1954.
Dr. Hale gjurmoi shitjen e pikturës më pak se një vit më vonë te një tregtar arti në Nju Jork, përpara se të kalonte në duart e një tjetër tregtari deri në mars 1955, i cili e pastronte dhe e përforconte me një mbështetje shtesë.
Më pas, ajo u shit te një koleksioniste private, dr. Lillian Malcove, për 2700 dollarë, e cila më vonë e dhuroi për Fogg Art Museum në Universitetin e Harvardit.
Në studimin e saj, dr. Hale përshkruan korrespondencën gjithnjë e më të tensionuar mes drejtorit të arteve të Muzeut, profesor John Coolidge, dhe Ramsey-t, ndërsa Coolidge përpiqej të vërtetonte origjinën e pikturës pasi dukesha kishte ngritur shqetësime.
Ramsey pretendoi se e kishte blerë pikturën në një treg në Hemel Hempstead dhe madje u përpoq të hidhte dyshime mbi autenticitetin e saj, një pretendim që u mbështet edhe nga Goldscheider-i, i cili e kundërshtoi certifikatën e tij të mëparshme të autenticitetit.
Me rritjen e dyshimeve, muzeu ia ktheu pikturën Malcove-it në vitin 1960, dhe pas vdekjes së saj në 1981, ajo u dhurua për Muzeun e Artit të Universitetit të Torontos.
Dr. Hale tha: “Siç tregohet nga kërkimi i paraqitur këtu, më në fund kemi arritur të zgjidhim çështjen nëse kjo ishte piktura e vjedhur nga Boughton-i.
Si rrjedhojë, komiteti ekzekutiv i Universitetit të Torontos votoi për të hequr nga koleksioni portretin e Wolfgang Wilhelm-it të Pfalz-Neuburgut dhe për ta kthyer atë te Duka i Bëklusë, 73 vjet pasi u vodh.”
Hetimi u krye si pjesë e një Leverhulme Research Fellowship, që fokusohej te panelet e Van Dyck-ut në Boughton. Dr. Hale analizoi arkivat e familjes Bëklu në Boughton House, arkivat e Paul Mellon Centre në Londër, arkivat e J. Paul Getty Museum në Los Anxheles, si dhe dokumentet e Fogg Museum në Universitetin e Harvardit.
Ajo shtoi: “Ky është një rast i rëndësishëm sepse përfaqëson një shkelje të rëndë të besimit nga ana e Ramsey-t, një besim thelbësor për studiuesit që punojnë në këtë fushë, si dhe për muzetë dhe bibliotekat që mbajnë këto objekte dhe artefakte të paçmueshme. Për më tepër, kjo nuk ishte thjesht një vepër e vetme arti, por pjesë e një grupi unik veprash të mbetura në studion e Van Dyck-ut pas vdekjes së tij në vitin 1641. Pa këtë pikturë, skicat me vaj të Boughton-it ishin si një enigmë me një pjesë qendrore që mungonte. Rikthimi i saj ka rikthyer integritetin e këtij grupi.”
Vjedhja dhe rikuperimi i pikturës grisaille nga Anthony Van Dyck (1599-1641): “Portreti i Wolfgang Wilhelm-it të Pfalz-Neuburgut” është publikuar në edicionin më të fundit të British Art Journal.