Si ta pastroni ekranin e TV-së – pa njolla, gërvishtje dhe rrezik dëmtimi

Si ta pastroni ekranin e TV-së – pa njolla, gërvishtje dhe rrezik dëmtimi

Udhëzues që ju kursen para dhe nerva!

Kur keni blerë televizorin, sigurisht keni shpenzuar kohë për të zgjedhur ekranin dhe rezolucionin e duhur. Për të shijuar ngjyrat dhe detajet në maksimum, është e rëndësishme ta pastroni si duhet. Kjo vlen edhe për ekranet e kompjuterit apo telefonit.

Shumica e televizorëve modernë kanë ekrane LCD ose OLED, ndërsa ata më të vjetër me tub katodik (CRT) kanë ekran më rezistent. Ekranet moderne janë më delikate, prandaj kërkojnë më shumë kujdes. Gjithmonë fikeni televizorin para pastrimit, është më e sigurt dhe ju ndihmon të dalloni më lehtë njollat.

Çfarë duhet të përdorni?

Përdorni vetëm leckë mikrofibre. Kjo parandalon gërvishtjet. Mos përdorni letër kuzhine apo peceta të zakonshme, sepse mund të lëshojnë fibra që dëmtojnë ekranin.

Pastroni me kujdes këndet dhe skajet. Ndërroni shpesh faqen e leckës për të mos përhapur papastërtinë.

Mos spërkatni direkt ekranin. Nëse përdorni lëng pastrimi, spërkateni në leckë, jo në ekran, për të shmangur dëmtimin e pjesëve të brendshme.

Fshini me lëvizje të drejta, jo rrethore. Pastroni me lëvizje horizontale ose vertikale, duke mbuluar zonat me radhë. Në fund, fshini me një leckë të thatë, transmeton Telegrafi.

Si të hiqni njollat e vështira?

Për njollat më të forta (p.sh. pika lëngu të thara), mund të përdorni ujë të distiluar të përzier me pak sapun të butë për enë. Mos përdorni kimikate të forta si aceton, amoniak apo pastrues xhamash, mund të dëmtojnë përhershëm ekranin. Vetëm ekranet e vjetër me xham (CRT) mund t’i rezistojnë pastruesve të xhamit.

Mos harroni telekomandën

Nxirrni bateritë para pastrimit. Shkundni copëzat mes butonave dhe pastroni me një shkop pambuku ose furçë të butë. Fshini pjesën e pasme me një leckë të lagur dhe lëreni të thahet para përdorimit.

Kujdesuni për altoparlantët

Nëse keni altoparlantë të jashtëm, hiqni kapakët e pëlhurës dhe thithni pluhurin me fshesë ose përdorni një rul për heqjen e qimeve. Kapakët prej materiali të fortë mund t’i fshini me një leckë mikrofibre të lagur.

Bëni vetë pastruesin

Në vend të pastruesve komercialë, mund të përzieni ujë të distiluar me uthull të bardhë në raport 1:1, ose një pjesë alkool izopropil me katër pjesë ujë të distiluar. Mos përdorni alkool etilik, mund të dëmtojë ekranin.

LEXO EDHE:

Back to top button