Silvinjo prezantohet të hënën, së bashku me zëvëndëstrajnerët e rinj

Sylvio Mendes Kampos Junior, i injohur më shumë si Silvinjo, do të prezantohet të hënën si trajneri i ri i Shqipërisë. Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi në ditët e para të janarit se është arritur marrëveshja me brazilianin, i cili pason Edoardo Rejan në pankinën e “kuqezinjve”. 48-vjeçari do të nënshkruajë një kontratë 18-mujore me FSHF-në. Objektivi i tij i vetëm është që të arrijë kualifikimin në fazën finale të Europianit “Gjermani 2024”.

Sipas “Supersport”-it, Silvinjo ka vendosur që të qëndrojë në Tiranë për sa kohë të jetë trajner i Kombëtares, për të qenë sa më pranë futbollit shqiptar e Federatës Shqiptare të Futbollit, e për të qenë të angazhuar maksimalisht gjatë gjithë kohës.

Ish-mbrojtësi i majtë ka kërkuar që krahas tij edhe pjesa tjetër e stafit të tij të qëndrojë gjithashtu në Tiranë, për të patur një bashkëpunim të vazhdueshëm. Në të tilla rrethana, Hamdi Salihi, i cili ka qenë pjesë e stafit të Kombëtares në rolin e një prej zëvendëstrajnerëve, nuk do të jetë më pjesë e ekipit kuqezi, kjo për faktin se ish-sulmuesi shkodran jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe e ka të pamundur që të zhvendoset të jetojë në kryeqytet.

Ish-mbrojtësi argjentinas Pablo Havier Zabaleta dhe ish-mesfushori brazilian Dorival Guidoni Junior, i njohur si Doriva, janë konfirmuar si ndihmëstrajnerët e Sylvinhos, por Supersport mëson se në stafin e brazilianit do të shtohet dhe një përgatitës atletik, i kërkuar nga ana e tij.

Ndeshja e parë zyrtare e Shqipërisë në kualifikueset e kampionatit europian do të jetë në muajin mars në Varshavë ndaj Polonisë, por 48-vjeçari do të ketë dhe një ndeshje miqësore para takimit me polakët për të njohur skuadrën.

Prezantimi i Silvinjos dhe pjesës tjetër të stafit do të bëhet nga presidenti Armand Duka, të hënën në orën 11.00, në ambientet e stadiumit “Air Albania”.

LEXO EDHE:

Back to top button