Simiq për marrëveshjen e targave në Bruksel: Është në interesa të serbëve
Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq ka thënë se marrëveshja që u arrit dje në Bruksel, mes Kosovës dhe Serbisë “vlerëson interesat e serbëve”.
Duke pretenduar se Njësia Speciale e Kosovës ua ka dëmtuar disa vetura serbëve, ai thotë se “kjo tregon se ata (Njësia Speciale) nuk mund ta fshehin zhgënjimin se serbët nuk u përfshinë në provokime për 11 ditë”.
“Forcat Speciale dëmtuan qëllimisht dhjetë automjete private të parkuara në pronësi të serbëve. Me sa duket ata nuk mund ta fshehin zhgënjimin që qytetarët tanë nuk u përfshinë në provokime në 11 ditët e fundit dhe se sot u arrit një marrëveshje që vlerësonte interesat e njerëzve tanë. E njëjta gjë ndodhi në vendkalimin Jarinje kur automjetet private të gazetarëve u gërvishtën”, ka thënë Simiq.








