Simovski ngre alarmin: Numri i njerëzve që kanë braktisur vendin është shumë më i madh se shifrat e dala nga regjistrimi

Simovski ngre alarmin: Numri i njerëzve që kanë braktisur vendin është shumë më i madh se shifrat e dala nga regjistrimi

Gazetar: Mefail Ismaili

Vendi për çdo ditë e më shumë po e humb forcën punëtore dhe kjo e rëndon edhe më tepër  ekonominë e vendit. Kështu vlerëson drejtori i Entit të Statistikave, Apostoll Simovski i cili, në Programin 200 në Alsat theksoi se forca punëtore aktive në vend, nuk mund të mbulojë as të ardhurat për pensionet.

“Teoria thotë se që të mbahet një pensionist duhet të punojnë katër persona. Tek ne rreth 700 000 është numri i personave aktiv që punojnë, rreth 400 mijë e diçka është numri i pensionistëve. Ne as prej larg nuk kemi mbulim për ata njerëz të cilët e kanë kryer periudhën e tyre të punës. Duhet patjetër të nisemi në mënyrë strategjike dhe të zgjidhen (problemet) jo vetëm të shkruhen strategjitë në letër, të tilla kemi plotë të mira, por duhet të zbatohen me politika reale”, tha Apostol Simoski, drejtor i Entit të Statistikave.

Simovski thotë se numri i popullsisë që e ka braktisur vendin, është tepër më i madh se shifrat që dolën nga regjistrimi.

YouTube video

“Të dhënat e këtij regjistrimi treguan se për dallim nga viti 2002 kur bëmë regjistrimin e fundit të popullsisë, tani kemi 200 mijë qytetarë më pakë, por unë them se kemi 400 mijë njerëz më pak. Pse? Sepse deri pak kohë më parë kishim rritje demografike pozitive të popullsisë. Më shumë lindnin sesa vdisnin, vetëm në vitet e fundit kemi situatë të kundërt. Pra duhej të rritej popullsia dhe të kemi diku 2 milion e 100 mijë banorë. Megjithatë, me ata që ikën, ikën edhe lindjet e tyre, tani kemi më shumë lindje jashtë shtetit se në shtet. Ata fëmijë nuk janë këtu, por janë andej diku”, u shpreh ai.

Simovski thotë se është i madh numri i të rinjve me arsim të lartë që e braktisin vendin. Sipas tij, nëse të dhënat flasin se rreth 90 për qind e atyre që kryejnë shkollë të mesme shkojnë në fakultet, të dhënat e tjera flasin se kemi vetëm 17% të popullsisë së re në vend me arsim të lartë. Simovski shtoi se deri në fund të vitit do të dalin edhe të dhënat e plota të regjistrimit të popullsisë, ku do mund të shihen të gjitha informacionet e sakta dhe gjendja reale për çdo një kilometër katror të vendit./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button