Situatë e qetë në veri të Kosovës, policia ruan ndërtesat komunale
Situatë e qetë në veri të Kosovës, policia ruan ndërtesat komunale

Një ditë pas përleshjeve midis Policisë së Kosovës dhe grupeve të serbëve lokalë, situata në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, është e qetë. Mediat në Kosovës raportojnë se pranë ndërtesës së Komunës së Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, ka prani të Policisë së Kosovës. Po ashtu, policë ka edhe brenda ndërtesave. Sot në ndërtesën e Komunës së Leposaviqit, ka qëndruar kreu i ri i kësaj komune, Lulzim Hetemi, i cili është takuar edhe me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla. Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, të shtunën kërkoi tërheqjen e njësive speciale nga veriu. Kjo parti tha se Serbia duhet të ndalojë dialogun me Kosovën, derisa nuk tërhiqet policia. Dje Policia e Kosovës asistoi tre kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit që të hynin në ndërtesat komunale. Këto ndërtesa, paraprakisht ishin përdorur nga institucionet paralele serbe. /Alsat.mk