Gazetar: Shkëlzen Aqifi
Një pjesëtar i policisë së Kosovës është vrarë dhe një tjetër është plagosur nga një sulm në veriun e Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur sulmin si terrorist, duke thënë se krimi i organizuar me “mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë”. Kurti tha se bëhet fjalë për së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë e policë, të cilët ndodhen nën rrethimin e forcave policore të Kosovës.
Policia e Kosovës ka thënë se dy nga sulmuesit në veri, përkatësisht në zonën e fshatit Banjskë, është vrarë në shkëmbimet me armë zjarri me zyrtarët policorë. Policia ka thënë se situata atje vazhdon të jetë e tensionuar, dhe grupet, që ky institucion i ka konsideruar si kriminale, janë duke i sulmuar njësitet policore në teren, tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Manastiri në fshatin Banjskë në veri është “burim i sulmeve me armë zjarri” në zonën përreth. Ai tha se sulmi ka ardhur dhe po vazhdon akoma nga njësi profesionale të përgatitura dhe me një përbërje prej mbi 30 personave, të uniformuar, të maskuar dhe të pajisur ushtarakisht me mjete të blinduara dhe armë të rënda të llojeve të ndryshme. Ai ka thënë se këta persona të armatosur janë rrethuar brenda Manastirit.
I pyetur nëse ka mundësi që pjesëtarë të grupit mercenar rus Wagner janë infiltruar në veri të Kosovës, zëvendësdrejtori Fehmi Hoti, tha se asgjë nuk është e faktuar.
“Sa i përket grupit Wagner, kemi pasur informacione edhe më herët, kemi pasur informacione që individë të grupit Wagner po lëvizin ose mund të lëvizin, ose mund të sulmojnë. Të gjitha janë trajtuar. Mirëpo deri më tani nuk kemi diçka të argumentuar, të faktuar. Ju e dini që gjykatat kërkojnë gjithçka të dokumentuar. Andaj si informacione i kemi trajtuar dhe jemi duke i trajtuar,” deklaroi Fehmi Hoti, zv.drejtor i policisë së Kosovës.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se Policia e Kosovës e ka përgjegjësinë fillestare për menaxhim të incidentit në veri dhe e ka dënuar ashpër sulmin ndaj pjesëtarëve të këtij institucioni. “KFOR-i vazhdon ta vëzhgojë prej afër situatën në Banjskë, dhe trupat e KFOR-it janë prezentë në këtë zonë, të gatshëm të reagojnë, nëse kërkohet. Komandanti i KFOR-ut është në kontakt direkt me të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Serbisë dhe institucionet e Kosovës, dhe është duke punuar për ta gjetur një zgjidhje”, është thënë në deklaratë. /alsat.mk








