S’ka ende terapi biologjike në Onkologji

S’ka ende terapi biologjike në Onkologji

Gazetare: Linda Ebibi

Ndonëse u premtua se dy nga gjashtë terapitë biologjike do të arrijnë gjatë javës që lamë pas, kjo nuk ka ndodhur, shkruan Alsat.

Pacientët onklologjikë ende janë pa terapi biologjike, ndërsa autoritetet shpresojnë se gjatë kësaj jave Klinika e Onkologjisë do të furnizohet tërësisht. Sipas ministrit të shëndetësisë mungesa ka ndodhur si pasojë e kërkesës së madhe të terapisë nga ana e pacientëve.

“Unë do të doja të sqarojë se nuk ka mungesë të të gjithë terapisë për Onkologjinë, pra 90 për qind e terapive që përdoren për terapinë biologjike është në Klinikën e Onkologjisë, mungon terapi biologjike  vetëm për 6-7 ditë. Shpresoj se këtë javë do të furnizohet Klinika e Onkologjisë me terapinë biologjike. Ne kemi pasur terapi biologjike më shumë se vitet e kaluara, megjithatë kërkesa e pacientëve është shumë e madhe. Për këtë tani më kemi protokolle dhe këshilla nga doktorët, pasi me të vërtet është luksoze dhe nuk duhet të jepet gjithkund”, tha Arben Taravari.

Drejtori i Fondit Shëndetësor thotë se sigurimi i terapive do të bëhet me donacione dhe marrëveshjeve përmes anekseve.

“Ajo që do ta bëjmë për momentin në  pjesën e terapisë është rritja e buxhetit të kushtëzuar për 40-50 për qind e cila do të miratohet këtë javë. Disa nga barnat kritike do të rriten për dy herë… Dhe do të kërkojmë mënyrë se si një pjesë e terapisë biologjike të shpërndahet Jashtë klinikës së Onkologjisë. Ne kemi reparte të Onkologjisë në Klinikën e 8 shtatorit, në Shtip, Manastir dhe Tetovë që për momentin nuk trajtojnë me terapi biologjike, ose do të trajtojnë ose nuk ka nevojë për reparte onkologjike që nuk punojnë”, u shpreh Sasho Klekovski , drejtor i Fondit Shëndetësor.

Për ankesat e pacientëve onkologjikë për mungesë të terminëve dhe punët administrative të shumta që kanë, Taravari thotë se Klinika e Onkologjisë do të riorganizohet me qëllim që të zvogëlohet rrëmuja që krijohet në onkologji.

Pacientët kanë më shumë se një javë që nuk marrin gjashtë terapitë e nevojshme, ndërsa ekziston rreziku që edhe katër të tjera të mungojnë. Pacientët onkologjikë kërkojnë që terapitë biologjike të futen në listën pozitive.  Për këtë kërkesë, Fondi Shëndetësor thotë se nuk është e mundur pasi nuk kanë regjistër të pacientëve me kancer. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button