S’ka sanksione për deputetët që mungojnë me arsye

Të zgjedhurit e popullit në Kuvend mund të mos shkojnë asnjëherë në punë, ta njoftojnë kryetarin e Kuvendit se nuk mund të marrin pjesë në seancë dhe, pa asnjë pengesë, të vazhdojnë të marrin rrogë deri në fund të mandatit. Si pasojë, Kuvendi prej muajsh nuk mban rregullisht seanca plenare për shkak të mungesës së kuorumit, gjegjësisht mungesës së numrit të mjaftueshëm të deputetëve. Mungesa e disa deputetëve është vullnetare dhe e disa të tjerëve, pasojë e situatës me virusin. Të hënën grupet e punës vazhdojnë dialogun Zhan Mone gjatë të cilit shqyrtohet rishikimi i mundshëm i Rregullores në shërbim të një Kuvendi më funksional por grupet parlamentare nuk kanë qëndrim të njëjtë për rregullimin e çështjes së mungesës së deputetëve.

“Të hënën do ta mbajmë takimin e parë të kësaj përbërje parlamentare dhe sigurisht do t’i hapim çështjet të cilat ndodhin në bazë ditore në Kuvend në lidhje me të gjithë bllokimet në punën e Kuvendit. Dialogu “Zhan Mone” është proces që zgjat dhe nuk pres që të hënën të merren vendime konkrete”, u shpreh Jovan Mitreski, LSDM.

“Përgjegjësia e deputetëve në këto raste mbetet në kuadër të vetpërgjegjësisë. Dialogu “Zhan Mone” nuk mund të sjellë ndryshime për këtë. Deputetët mbajnë përgjegjësi para votuesve të cilët i kanë votuar. Nuk kemi mekanizma për të ndërhyrë në Rregullore dhe ligje sepse Rregullorja s’mund të jetë mbi Kushtetutën dhe kjo çështje definohet me Kushtetutë”, tha Arta Bilalli Zendeli – BDI.

“Është obligim i deputetëve të jenë në shërbim të interesave të qytetarëve nëpërmjet angazhimit në punë e Kuvendit dhe komisioneve dhe krijimit të ambientit të punës efektive në Kuvend. Ne jemi për ndryshime me ç‘rast do të mundësohet që me pjesëmarrje aktive të krijohen kushte për funksionim të plotë të Kuvendit”, deklaroi Skender Rexhepi, Koalicioni ASH-AAA.

Rregullorja dhe Ligji për deputetët potencojnë pjesëmarrjen e detyruar të deputetit në punën e Kuvendit dhe trupave punues por nuk ka sanksione për deputetët që me arsye mungojnë pafundësisht.

“Deputeti ka të drejtë dhe është i detyruar të marrë pjesë në seancat e Kuvendit dhe të marrë pjesë në punë dhe në vendimmarrje. Deputeti i cili nuk ka mundësi të marrë pjesë në seancën e Kuvendit, është i detyruar të informojë Kryetarin e Kuvendit deri në fillim të seancës”, thuhet në Rregulloren e Kuvendit.

“Deputeti është i detyruar të marrë pjesë në seancat e Kuvendit dhe të trupave punues ku është anëtar dhe marrë pjesë në punën dhe vendimmarrjen e Kuvendit dhe trupave punues”, thuhet në Ligjin për deputetë.

Sipas Rregullores, deputeti përballet me ulje rroge prej 5% pas tre mungesave të paarsyeshme radhazi.

Nga ana tjetër, Kushtetuta parashikon heqjen e mandatit të deputetit vetëm në rast të mungesës së paarsyeshme për më gjatë se gjashtë muaj.

“Deputetit mund t’i merret mandati kur dënohet për vepër penale dhe vepër tjetër të dënueshme që e bën të padenjë për funksionin e deputetit, si dhe për mungesë të paarsyeshme në Kuvend për më gjatë se gjashtë muaj”, parasheh Kushtetuta.

Historikisht, nga raportet e Kuvendit ndër vite, deputetët që mungojnë më shumë janë kryetarët e partive politike.

Fatlume Dervishi

 

 

 

 

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button