​Sot përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë

​Sot përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë

Sot përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave. Regjistrimi ka filluar nga data 5 prill derisa është planifikuar të përfundoj më 17 maj.

Sipas të dhënave të fundit të lëshuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës mbi 1 milionë e 420 mijë banorë janë regjistruar deri më tani ndërsa rezultatet preliminare të regjistrimit pritet të publikohen brenda tre muajve.

Ndonëse pritshmëritë e Agjencisë së Statistikave të Kosovës ishin që procesi të përfundojë me kohë, kishte kërkesa prej disa komunave që kjo datë të shtyhet.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në këtë institucion, Avni Kastrati kishte thënë se sa i përket kërkesave për shtyrje të datës, do të shikojnë nëse e njëjta ka bazë që të aprovohet.

Ai tha se meqenëse një pjesë e madhe e regjistrueseve kanë kryer zonat e caktuara, të njëjtit mund t’i dalin në ndihmë komunave tjera në mënyrë që mos të ketë shtyrje të procesit.

Ndërsa kishte shtuar se në disa komuna, si Prizren dhe Prishtinë janë hapur disa zyre, për qytetarët që nuk kanë pasur mundësi të regjistrohen, të shkojnë në ato zyre.

Sa i përket pjesës veriore, ai ka theksuar se ndonëse kishte hezitim, ka prej tyre që janë regjistruar.

Ndërsa, gjatë regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë, të mbajtur në vitin 2011, procesi nuk ishte zhvilluar në katër komunat me shumicë serbe në veri, si dhe ishte bojkotuar pjesërisht edhe në komunat e tjera me shumicë serbe në Kosovë.

Ndryshe pjesëmarrja në regjistrim kërkohet me ligj, teksa në rast refuzimi mund të penalizohen në shumën nga 30 euro-2.000 euro për person.

LEXO EDHE:

Back to top button