Skandal në Klinikën e Onkologjisë, terapi për kancer edhe për të vdekurit

Skandal në Klinikën e Onkologjisë, terapi për kancer edhe për të vdekurit

Gazetar: Adnan Qaili

Në Klinikën e Onkologjisë në Shkup ka dyshime që për pacientë të vdekur nga kanceri akoma mbeten historitë e hapura me qëllim të shfrytëzimit të barnave që kushtojnë dhjetëra mijëra euro. Një letër anonime denoncon drejtorinë e Klinikës se qëllimisht mban në sistem personin Tome Dimovski, me emër të atësisë Dragan, i cili ka vdekur në vitin 2014 si pasojë e kancerit në stomak. Terapitë që janë marrë në emër të të vdekurit variojnë nga 8-12 mijë euro në muaj që për 8 vite del se dikush nga sistemi i komprometuar i Onkologjisë janë thithur rreth 960 mijë euro të Fondit Shëndetësor vetëm nga ky rast.

Denoncim anonim:
“Historia është hapur në emër të Tome Dimovskit me numër personal 1007954xxxxxx i cili është trajtuar në vitin 2014 nga kanceri në stomak në Klinikën Universitare për Radioterapi dhe Onkologji, i cili vdiq po atë vit. Tani në vitin 2022 ka të hapur histori të re me numër 2825/13 përmes së cilës kurohet për kancer në prostatë, personi i cili ka vdekur para 8 viteve. Nuk dihet se sa raste tjera të tilla ka të hapura përmes së cilave vidhen barnat.”

Nga Drejtoria që udhëheq me librat amë na konfirmojnë se personi në fjalë i lindur në fshati Bistricë, Komuna e Çashkës, i cili ka ndërruar jetë në fshatin Bunarxhik të Shkupit është i evidentuar me certifikatë të vdekjes më 02.06.2014. Por, për të vërtetuar denoncimin, ekipi i Tv Alsat pyeti në sportelin e Klinikës së Onkologjisë ku i dëshmojnë se personi Tome Dragan Dimovski figuron aktiv në sistem.

“Ma lexo edhe një herë emrin? Këtu shkruan i Shkupit, Bunarxhik! Diçka tjetër nga është i ardhur? Jo, Jo! Mos ta ngatërrojmë? Tome Dragan Dimovski, dmth Dragan emër i babait!”.

Në Fondin Shëndetësor denoncimi i njëjtë është arkivuar më 18 gusht të këtij viti, por nga atje morëm përgjigje se gjatë inspektimit të rastit kanë konstatuar vetëm gabim teknik të mjekes specialiste. Na thanë se rastin nuk e kanë denoncuar as në polici e as në prokurori, por as në Inspektoratin shtetëror sanitar shëndetësor për një inspektim më të detajuar për të vërtetuar dyshimet e denoncuara.

“Terapia e cila i jepet një personi me emër dhe mbiemër të ngjashëm gabimisht është evidentuar tek i siguruari i cili ka ndërruar jetë në vitin 2014. Për rastin e njëjtë është konfirmuar se është bërë një lëshim në evidentim edhe nga ana e mjekëve që i ka udhëhequr pacientët dhe është bërë korrigjimi, ndërsa për lëshimin do të informohen organet përkatëse të cilët do të veprojnë më tej”, njoftojnë nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor.

Dyshimet janë të hapura që terapitë e njëjta që janë marr për një person të vdekur, janë përdorur privatisht për pacientë që nuk janë të siguruar përmes fondit shëndetësor ose për shtetas të huaj. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button