Skandal, përgjimet që zbulojnë pazaret mes Pike e Rubialesit për Superkupën
Sipas “El Confidencial”, mbrojtësi i Barcelonës, Zherard Pike mund të kapet në një skandal korrupsioni së bashku me presidentin e RFEF, Luis Rubiales. Sipas regjistrimeve dhe dokumenteve të marra nga një burimi i të përditshmes spanjolle, Pike dhe Rubiales u pajtuan për t’u bërë presion autoriteteve në Arabinë Saudite për të paguar një shumë prej 24 milionë euro për të pritur Superkupën e Spanjës në vend.
Dokumentet dhe audiot zbulojnë se Rubiales ra dakord të paguante Pike-s rreth 6 milionë euro për marrëveshjen dhe u përpoq të fshihte përfshirjen e mbrojtësit të Barçës në kontratat dhe dokumentat zyrtare. Në atë kohë, presidenti i RFEF kishte konfirmuar se mbrojtësi kishte ndihmuar në fillimin e negociatave përmes një kompanie të quajtur “Kosmos”, në të cilën ai është aksioner.
Raporti nga “El Confidencial” pretendon se Pike dhe Rubiales kishin qenë në diskutime që nga viti 2018, me veteranin e Barcelonës duke sugjeruar idenë për ta bërë turneun me katër skuadra që luajnë gjysmëfinalen para finales, për të rritur vlerën komerciale.
Rubiales ishte dakord me planin dhe i dha Pike-s “dritën jeshile” për të eksploruar blerës të mundshëm për të drejtat televizive. Në të njëjtën kohë, ideja fillestare ishte që turneu të zhvillohej ose në “Santiago Bernabeu”, ose “Camp Nou”, përpara se të mbyllej transferimi në Arabinë Saudite.

Një bisedë nga audio e rrjedhur nga “El Confidencial” e fokuson Rubiales duke i thënë Pike-s: “Geri! Urime. Dhe jo për lojën tuaj të mrekullueshme dje, apo për golin tuaj. Ka kaluar ora 12, që do të thotë se marrëveshja me Arabinë Saudite është nënshkruar. Faleminderit për gjithçka. Unë jam këtu për çdo gjë që ju nevojitet. Një përqafim i madh. Kujdesu për veten!”
Më shumë biseda zbulohen në raportin në të cilin Pike mund të dëgjohet duke bindur Rubiales për të vazhduar me projektin, kur ai kishte dyshime për shkak të ofertës financiare të propozuar në gusht 2019.
“Shiko Rubi. Nëse është çështje parash, Real Madridit do t’iu mjaftonin nga 8 milionë euro. Ju mund të bëni 2 milionë euro dhe 1 milionë euro për dy të tjerët. Dhe federata mund të qëndrojë me 6 milionë euro. Ne mund ta shtyjmë Arabinë Saudite për 1-2 milionë euro shtesë”.
Që kur marrëveshja u finalizua me Arabinë Saudite, Federatës Spanjolle të Futbollit i është garantuar një pagesë prej 40 milionë euro çdo vit. Përveç kësaj, paga e Rubiales është rritur gjithashtu shumëfish. Më tej në raport thuhet se Pike po merr një pagesë neto prej 4 milionë euro në vit përmes kompanisë së tij “Kosmos” për përfshirjen në marrëveshje. Kontrata gjithashtu parashikon që kompeticioni mund të anulohet në çdo kohë nëse “Kosmos”, nuk i merr pagesat në kohën e duhur.







